Wednesday, January 21, 2009

...EDHE DHEMBJA KA BUKURI

(Portretin Kam Varur në Muret e Kohës Petraq Kote. Tiranë: Globus R, 2008. fq.175)

Botoi gazeta "Illyria" dhe revista "Kuvendi"


E panjohura na krijon ngurrim dhe tundim e kur bëhet fjalë për një libër atyre u shtohet dhe skepticizmi e menjëherë lind pyetja: A do të mbetemi të kënaqur pasi të kemi lexuar librin? Këto përjetime m’u krijuan ditën, kur mora librin e poetit Petraq Kote ”Portretin kam varur në muret e kohës”. Krijimtarinë e Petraq Kotes nuk e njihja deri në momentin që hapa faqet e librit, kjo për arsyen e të qenit larg Shqipërisë. Leximi në faqen e parë i shënimit të autorit dedikuar „shqiptarëve që rikadastruan“ Shqipërinë në Perëndim, Kryeministrave dhe Presidentëve në çast më bëri të mendoj “jo një tjetër vëllim poetik i politizuar, le të shpresoj të mos jetë i mbushur me militantizëm apo patriotizëm të theksuar, i cilësisë së atyre librave që i lexon njëherë dhe pastaj vaken e futen në skutat e harresës”. Lënë mënjanë mëdyshjen dhe paragjykimin iu dhashë besimit se çdo libër që marr në dorë meriton të lexohet e të shikohet me objektivitet.
Titulli i librit tërheq vëmendjen dhe të lidh me kontekstin linear të vëzhgimeve që autori ka mbledhur përgjatë eksperiencës jetësore të tij si dhe sesi përjetesa ka mundur të krijojë karakterin e autorit, faktorë që kanë kushtëzuar e i janë nënshtruar njeri-tjetrit. Të zgjerojmë më tej nëntekstin e titullit, ndërsa faktori kohë dhe njeri qëndrojnë të ndërlidhur mes tyre, ku koha lë vulën e saj tek njeriu, i përket këtij të fundit të gjykojë ndodhitë e zhvilluara në kohë. Dhe këtë gjykim të tij Petraq Kote e sjell si pikën kryesore që karakterizon poezinë, për më tepër është mendim poetik intelektual që kërkon lexuesin e rrahur me letërsi pra, të kultivuar. Poezitë e vëllimit poetik “Portretin kam varur në muret e kohës“ lidhur me organizimin nuk i përmbahen ndonjë rregulli të caktuar. Më tej, poezitë duket se janë të kapura pas njëra tjetrës, jo në aspektin kuptimor por në atë diskursiv, si një bisedë në të cilën kalohet nga tema në temë. Këto ndërthuren me njëra tjetrën, zgjedhje që vihet në funksionim të katharsisit poetik, ku koha-pëlhurë përbëhet nga penjë të ndryshëm që jo patjetër i përmbahen një kodi të caktuar organizues por e karakterizon një organizim i brendshëm integral për të dhënë të plotë perceptimin e ngjarjeve të mbledhura gjatë udhëtimit kohor të autorit. Dhe është në këtë udhëtim kohor dhe historik të situatës shqiptare – brenda kufijve të Republikës së Shqipërisë dhe jashtë saj - në të cilin Kote bën bashkudhëtar lexuesin përfshirë në këtë mënyrë shtrirjen gjeo-fizike të shqiptarëve .
Kote nuk vihet, megjithatë, në rolin e guidës qëllimi kryesor i të cilit është të tërheqë lexuesin e të sajojë zbukurime të paqena, përkundrazi Kote është nga ata poetë që merr përsipër prezantimin e një tabloje të koklavitur, rrëqethëse dhe të mbushur plot dhembje. Po, duhet pranuar se qëllimi i Kotes është realiteti sikur ai e përjeton dhe jo vetëm kaq por ai e bën të qartë në vargun e tij se është një observues i vëmendshëm dhe lëvrues i sigurt i linguistikës që përdor, linguistike që e angazhon lexuesin e i jep zhdërvjelltësi vargut edhe e bën atë më efikas në efektin, që autori kërkon te krijojë. Për te ilustruar t’i kushtojmë pak vëmendje vargut “Ajri ende i pa pjekur në furrat e nxehta të motit akull,“ nga poezia “Shekulli hemeopatik“ dhe të përpiqemi ta dekonstruktojmë atë. Poeti me efektivitet ka sjellë në të njëjtin varg një pohim polemik dhe paradoksal. Të shpjegohem pak këtu, moti është i përbërë nga ajri, kjo është marrëdhënia literale midis këtyre dy komponentëve, dhe është temperatura e ajrit që përcakton motin, mirëpo poeti e shtyn perceptimin tonë të marrëdhënie ajër-mot dhe krijon një marrëdhënie të re, që ne si lexues jemi të detyruar ta pranojmë. Sipas poetit ajri duket se është komponent i shkëputur nga moti dhe ndodhet disi i futur brenda tij dhe të dy ekzistojnë në ekstreme temperaturash. Kjo ngjitje zbritje e temperaturave e ngrohtë/ e nxehtë/ e akullt krijon sensacionin për lexuesin se realiteti i ngjan një objekti gati të kriset, të pëlcasë e të shkërmoqet përpara tij sapo ajri të jetë ‘pjekur’. Ky është një nga shembujt e zotërimit linguistik që Kote posedon, poezia e tij është e mbushur me këtë lëvrim të artit të fjalës. Kote si poet arrin me një qëmtim të vargut të implementojë secilën nga situatat e të shprehë shqetësimin e dhembjen në shumë dimensione.
Përmenda më sipër se Kote na merr në një udhëtim historik, jo për t’iu referuar ndonjë idealizmi të momentit apo për të ringjallur lavdi të vjetra por për të tërhequr vëmendjen kah situatës bashkëkohore dhe asaj ç’mund të ndodhë në të ardhmen, sepse “tek e ardhmja ka të shkuar“ (Më këputet zëri). E thënë ndryshe nëse e ardhmja tërheq pas të shkuarën ka gjasa që ngjarje të së shkuarës të përsëriten në ndonjë variacion tjetër. në të ardhmen. Për rrjedhojë qëndron probabiliteti i riciklimit të së shkuarës duke çuar në kushtëzimin e së ardhmes nga e kaluara. Çuar një hap më tej qoftë e kaluara e zymtë, ajo nuk do të fshihet por do t’i ngjitet pas të ardhmes. Në momentin që e shkuara shfaqet atëherë ajo përcakton të tashmen. Kote hyn në poezinë e tij në transaksion me këtë të shkuar të tashme, kohë që përbën dy nga muret ku poeti do të varë portretin. Një kohë që i përngjan të gjallë-vdekurit pa varrosur, herë shfaqet si i sëmurë që lëngon qysh prej lindjes, herë pritur në gojën e varrimit qysh në ngjizje siç ngjet në poezinë “...prandaj ndërtoj veten ikonë sureale“:

“Miliona shtretër në djepet e sëmura,
varret në mitra
dhe veshjet në amnezë.“

(...prandaj ndërtoj veten ikonë sureale)

Në këtë mënyrë i shfaqet vendi i tij poetit, plogështi e dhembje prej sëmundjes së tej zgjatur. Më tej, poeti duhet të përballojë humbjen fizike të mëmëdheut dhe të gjejë psiqikisht forca për t’u marrë me Atdheun e çmendur, situata që shfaqen njëkohësisht “Nëna vdiq/ Atdheu u roit“ (“...ndoshta kam marrë formën e librit“) ku nëna është simbol i mëmëdheut. Më tutje po në këtë poezi poeti pohon se “Në liqenin e mëngjesit të syve të mi,/janë varri, lëvizjet e Brovnit, gërmadhat...“. Në fakt, ky varg e thellon më tej tablonë dëshpëruese. Autori evokon një gropë te stërmadhe që ka rreth vetes rrënojën shtrirë në trupin e një të çmenduri që shkakton tepër dhembje aq sa nuk mjaftojne lotët natyralë, por duhen shndërruar sytë në shtrat liqeni, ujët e tij mbase do të mjaftojë të gulçojnë dhembjen. Për të kuptuar gjendjen e atdheut të tij, poetit, i duhet angazhimi fizik dhe psikik, kaosit i duhet gjendur filli. Ç’të bëjë poeti? Përdor fjalën si i vetmi mjet për të ekzaminuar morinë e kadavrave shtrirë morgjeve, e përdor atë si lopatën e varrmihësit që hap gropa për të nxjerrë trupat e dekompozuar në siperfaqe, qofshin ato kocka a mbeturina të tjera që krimbat akoma s’kanë mundur të dekompozojnë. Këto angazhime poetike i ndeshim tek “Varri jetim”, “Më thërret krisma”,”Fitorja” , “Plagët e grave do të kenë rrënjë , pylli”,“Mishi i qytetit të morgut“, etj.
Kote përpilon me vargun e tij një aktakuze ndaj të pandehurit, që herë është krimineli hero, herë dhunuesi i vajzës, herë liturgjia e drejtuesve të shtetit apo servilizmi i tyre ndaj politikave perëndimore. Ndërkohe që përpilimi e bën atë të mbledh fakte, e shtyn edhe të reflektojë rreth etikës dhe parimeve të tij ‘E dija gabim’ thotë poeti Kote se “fitoret, liritë, pavarësitë, paqet / dilnin nga dyert e pushkëve“ (“Paqja e senatuar). Tani ato dalin nga tjetërkund, udhëhiqen nga koncepti shtet i vogël-shtet i madh, ku i madhi, duke përdorur ‚mendjen’ merr vendim për të voglin pa marrë parasysh gjakun e derdhur, dëshirën e një populli, varret e hapura e plagët që hapen sapo fillojnë të zënë pak kore. Kote është i përpiktë kur e krahason pavarësinë e Kosovës nënshkruar në „dyert e pasme te Senatit amerikan/ Bashkimit Evropian“ me„ mishin e prerë të lopëve të Libofshës“ (“Paqja e senatuar“) sepse sipas autorit nëse vula solli pavarësinë kurrësesi nuk garanton paqen. Historia po përsëritet në vendimet që janë marrë për shqiptarët, kohë tjetër, lojtarë të rinj e njejta lojë e vjetër, përshtypje që krijohet kur lexon:

“Pavarësia për çdo shqiptar në botë fillon më 28 nëntor 1912. Edhe për kosovarët, çamët, shqiptarët e Malit të zi, Shqiptarët e Maqedonisë.
Kjo e vërtetë e hidhur është turp i historisë moderne botërore.
Një komb nuk ka pesë pavarësi!”
(Pa sy ....Kamy)

Është një dashuri e sinqertë e poetit Petraq Kote për atdheun që e ngacmon të hedhë vargjet kundrejt padrejtësive, siç është fuqia e këtyre vargjeve kushtuar Gërdecit :

Dita, me gjatësinë e jetës,
duale
me portretin e Shqipërisë,
hedhur me penel - tonelatat e predhave,
mbi telajon e trishtimit,
grunduar me gjak;
varet në murin e sekondave.
(Oh, ç’ është një dhimbje/që shkelka dhimbjet e mia?!)

Nëse autori në titull i referohet në sipërfaqe portretit të tij personal është e qartë jo vetëm përmes këtyre vargjeve, por në tërësinë e leximit të vëllimit poetik se portreti që ravijëzohet, krijohet varg pas vargu, e merr formë është i fytyrës së Shqipërisë. Një portret që ndërrohet marramendesh me vërtik në çdo lëvizje sekonde dhe mund të bjerë nga çasti në çast nëse akrepi shkëputet. Ndjesia dhe fuqia e përjetimit të atdheut është e pa krahasueshme në vargun e poetit Petraq Kote. Atdheun ai vërtetë e quan të luajtur mendsh, por sado i “roitur” të jetë atdheu përsëri është vendlindja. Atdheut poeti Kote i kërkon “ta marrë përdorë si fëmija” në poezinë Rruga ters ndërkohë që në një poezi tjetër poeti e paraqet veten si vendlindja. Duke parë këtë lloj përkushtimi ndaj atdheut është e natyrshme që poeti të shqetësohet për të e t’i rrijë pranë. Eja, thotë poeti të vazhdojmë udhëtimin se ka dhe te bukura ky vendi im përveç dhembjes e absurditetit.
Ky vend i ka ofruar momentet më të hidhura e më të bukura të jetës. Dedikimi që ai i bën brezit të tij është mallëngjyes dhe prekës e i përket kujtimeve jo të këndshme. Ja si shprehet poeti në poezinë “Metamorfozë“: “Qeshje të shthurura rinie /të dënuara në vitin njëmijë e nëntëqind e shtatëdhjetë e katër./“ Cigania me shporta “ e Maks Velos./Këmba protezë e arrestuar në Ballësh e Hekuran Qazimit.” Si ka mundësi që e qeshura të dënohet apo një këmbë proteze të arrestohet? Përdorja e së “qeshurës” dhe “këmbës” i përqasen lexuesit si simbole të një periudhe të mbarsur me dhunë, mosbesim dhe jetë të reja prerë në lulëzim si dhe thekson më tej absurditetin e saj. Megjithatë absurdja mban brenda gëzime: miqtë e shkollës së mesme, dashuritë e vjetra, ‘rrëzuar’ kushedi ku, martesën me njërën prej tyre vajzën, që ai e dashuron tërësisht, sepse është gruaja e tij e vetmja që nuk e ka braktisur (“Unë jam harta e gruas time“). Poetët i këndojnë jo vetëm dashurisë por dhe natyrës. Kote nuk i shpëton asaj, madje në shumë prej vargjeve kushtuar natyrës ai i përmbahet simetrisë së vargut, ato janë ritmike dhe rimojnë e tingëllojnë si poezi që dëshiron t’i marrësh me vete e t’i lexosh diku apo t’i vendosësh në kornizë e t’u referohesh sa herë që stinët fillojnë apo kur ato i lenë vendin njëra - tjetrës. Poezi si “Peisazhi“ dhe ”Një pikturë“ sjellin tek lexuesi stinët. Poeti përdor shkallëzimin ngjitës për të konfiguruar karakteristikat e secilës stine e ato kalojnë nga dekompozimi (Vjeshta), tek ngrirja (Dimri) e ripërtëritja (Pranvera) vera përshkruhet me anë të krahasimit si nusja që lan fytyrën tek ripërtëritja e pranverës.
Ky vëllim poetik nuk do të ishte i plotë pa portretin e poetit, poezi qe i ka dhëne dhe titullin vëllimit. Portreti i tij është një trinitet „i gjallë/hije/imazh“. Linjat e secilit prej tyre ndërlikohen dhe vendosen mbi njeri-tjetrin ose ndërrojnë vend, ku herë njeri ngrihet nga sfondi për të dalë në pah, herë tjetri. Është piktori kohë ai që ka vendosur bojërat dhe nuancat polikromatike në të. Koha, jo vetëm e ka krijuar portretin por dhe e ka futur atë brenda saj, megjithatë poeti del jashtë saj duke varur njërin nga portretet e tij në të. Duke qenë në kontroll e duke qëndruar gjithashtu brenda faktorit kohë. Paradoks për lexuesin por jo për poetin Kote, duket se paradoksalja i është bërë bashkudhëtare dhe nuk e shqetëson, çfarë e shqetëson atë është dhembja që krijohet brenda poetit, vënia në komunikim me lexuesin e ideve të tij, përdorimi i zgjuar i gjuhës së pasur, pa zgjatje, por shkurt dhe saktë për të sjellë mesazhin e poezisë së tij në hapësirën shqiptare. Vargut të Kotes nuk mund t’i shmangesh, loja e fjalëve të ndërtuara me teza-antiteza paraqet surpriza që përmbysin imazhin e sapo krijuar dhe të përplasin në realitetin banal. Autori arrin që përmes vargut të ngacmojë lexuesin që ky të jetë në mëdyshje për sa i përket perceptimit prej tij të situatave të referuara në tekst.
Poeti thotë Kote “Është një kambanë që bie,/ndalon./Ç’trishtim der’ largë që hedh pa prerë!“ (Poeti). Në të vërtetë poeti funksionon si tingull dhe zë që përhapet në hapësirat gjeografike por dhe mendore. Poeti Kote është nga ata poete që imponohet me dozën e realitetit që përçon poezia e tij, si lexues nuk mund të qëndrosh indiferent. Nëse në fillim të udhëtimit me poetin Kote po ecnim në territore të reja të nevojshme për letërsinë shqiptare por ndenjur paksa në distancë tek mbyll faqen e fundit sytë e lexuesit gjithashtu kanë „liqenet“ dhembja dhemb. Petraq Kotes në këtë vëllim poetik nëpërmjet përdorimit me mjeshtëri të fjalës është për lexuesin një udhërrëfyes në kthinat e përbalt-gjakura e rrugët e mbështjella me dhembje të Atdheut tonë, sepse Atdheu është i të gjithëve ne që i themi vetes shqiptarë, se dhe unë e ti jemi vendlindja e marrim një pjesë tës saj kudo që jemi. Më tej, poezia e Kotes është moderne në atë se përpiqet të lëvizë strukturat ekzistuese të shoqërisë. Poeti Petraq Kote është origjinal në këndvështrimin e tematikave të shumta që prezanton. Me këtë vëllim poetik Kote mund të quhet l’enfant terrible për nga forca tronditëse që përmban vargu i tij. Në konkluzion, poeti Kote kontribuon denjësisht në poezinë e re shqiptare duke iu shtuar atij grupi poetësh shqiptarë që meritojnë të studiohen dhe të mbahen në radarin si të studiuesve, ashtu dhe kritikëve letrarë.

© Aida Dismondy Dhjetor 17 2008

Monday, November 17, 2008

Falja qiellore dhe roli i gruas në tregimin e Roland Gjozës “Motrat Karmelitane”

Nga Aida Dismondy

Në verën e vitit 2004 rrëfyesi i tregimit Motrat Karmelitane të Roland Gjozës gjendet i befasuar përpara vendimit të shtatë vajzave – në Nenshat të Shkodrës – për të mbyllur jetët e tyre brenda mureve të një kuvendi e t’i kalojnë vitet në lutje për „ata që s’luten“. Por përpara se të shkojë në Nenshat rrëfyesi përcjell përpara lexuesit një periudhë mijëvjeçare kohore të mbledhura në tre paragrafë - gjatësia e tërë tregimit- nga fillimet e urdhrit Françeskan në 1009 tek Franceskani shqiptar Gjergj Fishta e për të përfunduar tek Motrat Karmelitane. Ato [motrat] i “bindeshin … një shenjti të malit Karmel në Izrael, që kishte jetuar disa shekuj para Krishtit”(par.3) Vijimësia kohore e tregimit, pra nuk i perputhet vijimësisë lineare të tij. Ajo shtrihet në kohën e para Krishtit nga ku e ka dhe zanafillën dhe urdhri i Motrave. Ç’lidhje kanë këto harqe kohore me njëri-tjetrin përveç faktit linear, ç’të përbashkët ka shenjti i periudhës së para Krishtit me Shën Françeskun, me Fishtën e me Motrat Karmelitane? Fatmir Terziu në analizën që i bën tregimit të Gjozës i quan këto momente pikë-lidhje. Duke huazuar termin e Terziut në këtë analizë komentoj se pikë-lidhja e tërë këtyre individëve është ajo e Faljes dhe do të argumentoj se Gjoza ndërkohë që manifeston aspektin qiellor të faljes sjell përpara lexuesit gruan, në figurën e motrave Karmelitane, që posedon në marrëdhenien e saj me Zotin një forcë që s’gjendet as tek shën Francesku as tek Fishta. Këtë diferencë midis shën Franceskut, Fishtës e motrave Karmelitane do të analizoj duke u ndalur më parë në gjenezën dhe faljen e urdhrit françeskan dhe duke u përqëndruar tek falja e Fishtes. Më pas do të analizoj natyrën e faljes së Motrave dhe efektin që kanë ato mbi rrëfyesin e tregimit.
Gjoza e fillon tregimin jo pa qellim me shën Françeskun largimin e tij nga kufizimi i mureve të kishës për t’u ndodhur më pas në mes të njerëzve. Akti i të qenit mes njerëzve e vë atë përballë atyre stratave të shoqërisë sikur janë „shpuret e vagabondeve“ dhe „aradhet e kurvave“ (par.1). Janë grupime individësh që jo gjithmonë e gjejnë rrugën për në kishë apo të kenë rastin të dëgjojnë nje sermon nga prifti Francesk brenda mureve te saj. Keta njerez i preku Fjala e Shen Franceskut dhe u bene pasues te tij. Shen Francesku me ane te fjales, Fali. Prifti Francesk u shenjterua pikerisht per faljen qe u ofroi njerezve. Praktika e faljes dhe e te qenit mes njerezve u mbajt gjalle nga pasuesit e Shen Franceskut, njeri prej te cileve ishte dhe Gjergj Fishta i shqiptareve „ me i madhi franceskan i Shkodres“(par.2). Njesoj si Shen Francesku, Fishta del jashte mureve te kishes. Natyra eshte prehja e tij, mjedisi ku Fishta lidhet me universin dhe kundron mrekullite e Zotit ne te cilin ai beson. „Cdo vit“ thote Gjoza, Fishta „ ulej tek Mrizi i Zanave“(par.2). Ka misticizem ne mriz qe rrjedh jo vetem nga lidhja me zanat keto bukuroshe dhe luftetare mitike te pasurise folklorike por dhe nga pershkrimi qe i ben autori “ rudine e bute prere kryq e terthor nga rrezet e fresketa te agsholit, madje dhe naten vezullon holle dhe ndihet neper te nje tingellime prej argjendi sikur punojne qielloret ne punishten e arit”. Pershkrim qe e ben lexuesin te besoje ne shenjterine e mrizit, shenjteri e kufizuar ne trinitetin : qielloret, argjend dhe ar. Mrizi i Zanave ka mbetur i paprekur si ne kohen e Fishtes cfare konfirmon se para rrefyesit qendron nje pjese parajse, parajse tokesore, te qenit ne te i kujton vdekatarit prezencen dhe mrekullin e universit apo hyut. Magjia e fjales eshte e perbashketa tjeter qe Fishta ka me shen Franceskun. Fishta eshte krijuesi i „kengeve te Lahutes“ (par.2) qe magjeps bashkekombasit e tij pavaresisht besimit apo jo tek Zoti ne te cilin ai beson si dhe eshte krijuesi i fjales qe ngushellon dhe con bashkombasit e tij ne altarin e shenjte te faljes. Fjala e Fishtes eshte ndryshe nga ajo e shen Franceskut, ne ate se shkon pertej faljes per konvertim tek besimi pertej terheqjes se pasuesve, fjala e Fishtes eshte konvertim zemrash, falje Gjaku. Falja eshte hyjnore thote proverbi. Ne faljen e gjakut njeriu kalon ne nje dimension tjeter mbitokesor me sakte qiellor, pasi vec ne dimensionin qiellor ka mundesi njeriu te harroje dhembjen e padurueshme te humbjes se njeriut te dashur. Me faljen dhembja braktiset. Njeriu shkeputet pergjithmone nga e kaluara dhe i hap vend paqes (duke iu referuar ketu thenies se nje mesuesi spiritual) e fillon kurimin. Kurimi ama eshte i menjehershem dhe zgjat ne jetegjatesine e gjakfalesit e me tej shtrihet ne brezat e jetet qe do te vazhdojne trungun e falesit e te te falurve. Ne faljen e gjakut qendron shenjterimi i jetes. Dy kryqet ne deren e Fishtes te sjellin ndermend vargjet biblike te librit te Gjonit „Une jam porta. Gjithe sa hyjne ne te permes meje do te shpetohen“ (Gjon 10:9). Rrjedhimisht jeta e fituar eshte shkak per te festuar. Ndaj dhe pasardhesit e Fishtes festojne e jane te perfshire ne nje hare qe i perngjan nje feste Dionisiane. Perpara rrefyesit shfaqet mrekullia e Fishtes, gra te bukura dhe burra qe i gezohen jetes, falja e jetes per te dhuruar jete. Rrefyesi ndonese deshmitar rreket ne kufirin e medyshjes mbarsur postmodernizmin ( referuar ketu Tierney qe e quan postmodernizmin „ideologji e dyshimit“). Ne perpjekje per te kuptuar misterin e faljes ai vazhdon udhetimin e tij nga Zadrima per ne Nenshat duke u bere keshtu nje flâneur i shekullit te njezetenje.
Ne Nenshat jane motrat Karmelitane qe qendrojne ne kontrast me filozofine e urdhrit franceskan ku si filluesi i saj shen Francesku ashtu dhe pasuesi i saj u ndodhen ne mes te njerezve ne natyre, motrat jane te shkeputura nga jeta perreth dhe te mbyllura ne universin e kuvendit. Motrat jane nje shkeputje nga urdhri franceskan dhe njekohesisht pjese e struktures se pergjithshme te marredhenies Zot – njeri. Sikur prifterinjte ashtu dhe motrat mbajne nje bindje te padiskutueshme ne Qenien qiellore te emeruar Zot. Nje lidhje me universin qe eshte pertej asaj qe mendja racionale njerezore eshte e mundur te pranoje pasi ajo eshte e dorezuar plotesisht ne logjiken qe guvernohet nga ligjet tokesore, ligji i te menduarit dhe racionalizuarit te situates. Njeriu eshte skllav i mendjes dhe si i tille i kufizuar nga muret qe ka ndertuar ne universin e tij pa shikuar apo konsideruar mundesine se cfare ndodhet pertej universit te tij personal dhe te lidhet me universin ku Qenia ku Zoti ekziston, me universin qe lidh esencen njerezore me ate te Hyut (kete koncept te lidhjes univers-njeri e kam pervetesuar kohe me pare nga nje material qe shqyrton kete marredhenie). Ne kete kontekst hyjne dhe motrat Karmelitane ato jane mbyllur brenda mureve dhe kane braktisur jeten e tyre tokesore per t’u ndodhur me prane Zotit. Lidhja me jeten tokesore per to vjen ne formen e letrave te palosura te sjella nga njerezit e te vena ne shporta. Grate luten dhe kujdesen per udhetaret jane ne rolin e tyre primar si kujdesese qe shqetesohen per gjithekend dhe kedo ne kete rast jane kujdesese te njerezimit. Ato vuajne per njerezimin por dhe per humbjet ne familje vecse kane fuqine ta kapercejne ate permes faljes dhe lutjes me ane te se ciles „ terheqin vemendjen e Zotit“. Ne perballjen me motrat Karmelitane shpaloset perpara lexuesit rrefyesi teresisht njerezor. Perpara tij qendron tundimi, vajzat jane te bukura te dashura rrefyesi eshte i bindur se ato „ kane shpikur buzeqeshjen“ (par.3). Maria, nje nga vajzat qe i ofron ushqim e deh rrefyesin me bukurine e saj, dhe rrefyesi jepet perpara saj dhe deshiron ta kete prane dhe nuk ngurron t’i shprehe asaj terheqjen qe ka per te aq sa i ofron qe ajo ta ndjeke, t’i bindet e te kaloje „nje nate“ me te. Mashkull e femer ndodhen perballe njeri – tjetrit si Adami perballe Eves, vecse Eva e shprehur ne menyre figurative, i qendron tundimit. Epshi e perfshin rrefyesin, terheqja eshte e momentit, s’ka dashuri ne te, eshte thjesht terheqje fizike dhe qendron ne kontrast me dedikimin e motrave karmelitane dashurine e plote qe ato kane per zotin, dhenien atij teresisht me shpirt e mish. Jo me kot, rrefyesi i Gjozes behet „xheloz per Krishtin“, aty ku qendron rrefyesi , ne toke, mungon kjo lloj dashurie ai vete eshte deshmitar i mungeses se saj, ne deshiren qe i shfaq Maries.
Gjoza paraqit perpara lexuesit dy bote qe jetojne prane njera tjetres sic e cileson Terziu „paralelisht“ por dhe dimensionalisht te kunderta perjetesisht te lidhura me njera – tjetren: qiellorja dhe tokesorja. Rrefyesi nuk i largohet te qenit te tij njerezor, dhe ne aktin e pickimit „te dores“ ai do te sigurohet se ka mbetur i tille njeri, me pasionet ndjenjat mendimet e tij i mrekulluar nga prezenca qiellore, vecse i gezuar ne ekzistencen e tij njerezore, me kembe ne toke. Rrefyesi largohet jo paqellim dhe vezhgon nga larg dhe me mosbesim manifestimin e fuqise qiellore ku falja nuk eshte e lidhur vec me strata te caktuara si ne rastin e shen Franceskut, apo me gjenerata brezash si tek Fishta, por i drejtohet „nje populli te tere“ qe ngrihet drejt qiellit. Kjo fale besimit e lutjeve te motrave Karmelitane, qe perpara rrefyesit dhe njekohesisht lexuesit duket se jane bere transparente. Trupat e tyre qendrojne mbi toke sikur jane perbere prej eteri dhe si shen Pjetri ato qendrojne ne porten qe con njerezimin drejt qiellit. Gjoza me vetedije apo pa vetedije ka shenjteruar gruan. Ne fillim te tregimit e paraqet si „kurva“ qe behet pasuese e shen Franceskut, ne mes te tregimit gruaja eshte teresisht tokesore, e falur, ajo ben dashuri dhe tundon burrin e saj „duke i shkelur syrin“(par.2), ne fund ajo i jep njerezimit jete te perjetshme jo vetem mortale. Permes saj hyri morti ne toke permes saj po vjen shpetimi, prandaj dhe them se ne motrat Karmelitane, gruaja eshte shenjteruar. Ajo i jep njerezimit faljen qiellore.

© Korrik 13, 2008

Wednesday, October 29, 2008

Leter e nenkryetares se nderuar Anife Borziloku Gazepi!

Iu kerkojme te falur lexuesve qe po e lexojne per here te dyte a te trete, po c'te bejme ne Gazepet njihemi per koken qe na ka shkuar ne qiell. Ju falemnerit! A.B.G.

Lezues dhe analfabete,
Po i bie direkt e ne teme pa i lene kohe atij zerit tuaj te vogel qe sa u ngrit ne koken tuaj me te pare emrin tim ose me mire mbiemrin GAZEPI. Ku e kam degjuar me pare? –mbase thote ai ze. Hm c’lidhje ka me te madherishmin te nderuarin te paharruarin Osman Gazepin? Qe t’u shuaj kuriozitetin e t’i them qepe atij zerit tuaj ne koken tuaj, keshtu te me kushtoni 100% vemendje po iu pergjigjem. Jam gruaja e trete e sternipit te te nderuarit Osman Gazepi babait te te tere Gazepeve qe filloi tashme levizjen qe ka hyre ne historine tone te shquar si Gazep-o-mania. Nje levizje e cila ka ne rradhet e saj anetare e militante te shquar qe i kane dhene e i japin kombit tone te vyer tere mencurine e trureve te tyre qe i kane dale siper kokes, nje prej tyre jam dhe une si anetare nderi dhe nenkryetare e Gazepeve.
Amani mo me qafshi, po s’i keni pare gjithe prodhimet e mia. Lere, lere tere studiusit permbys po bien mbi librat e mia, po habiten mo se c’dua une te them me tere ato faqe te lena bosh. Ua sa kenaqem kur shikoj ata te gjore derdimene qe vrasin mendjen. Them me vete hm patjeter e madhe duhet te jem se me kot pse te benin gjithe kete buje e te merreshin me kendimin e deftereve te shkruar nga une?! Te tere studiusve ju pergezoj! Zemren ma bete mal me llagapin e bukur te defterxhiut qe me keni dhene. Bravo! Vazhdoni ne rrugen e nisur se ja qe tani po i shkruaj kryetarit te shoqates burrit tim te dashur t’ju dergoj nga nje certifikate ku ju njiheni si anetare nderi te Gazepeve. E do t’ju japim dhe nga nje llagap qe dhe ju te krekoseni si defterxhinj poshte e perpjete e te krekoseni si kaposhe. As mbreti qe doli ja ashtu sic e kishte bere nena s’u kapardis kaq sa do te kapardiseni ju. Ju lumte! Lere lere mor aman cdo te jete! Ua sa gezoeeem kur shikoj rradhet e gazepeve qe shtohen te fiket me bie nga gezimi.
Do te beheni defterxhinj me name jo vetem studiues de. Oh kam dhe nje ide tjeter, sa e mencur jam mor aman ja keshtu vu me vine keto te shkreta ide c'ti bej thuaj qe s'i shes dot. Po he he se do ja gjej dhe anen kesaj pune. Sic po thosha ideja o te keqen duhet te fillojme te mbushim letrat e defteret me vija ja ashtu ne kollone do t’i bejme si i thone mo he kenge?! Jo, jo ah e gjeta poezi! Ja shiko une sa po e bej nje:“m’u ne maj te penxherese/se c’te pashe moj e zeze/ dil se te dua/ se t’i je per mua“ E bukur e? Ah s’ke c’t’i thuash. Imagjino studiusit tani vrap me laps ne dore vrap me flete dhe sec do te llomotisin, do te me bejne me te madhe nga cjam. Oh se si me rreh zemra, cek ja ben jo cekcekcek. Me kot s’ma kane vene llagapine tjeter vjershtarore. Dhe ju keshtu do beni vjersha, poezi thuaj te dukemi te zgjuare te ndriture, e do t’i mbushni librarite dhe ato qoskat plot me defteret tuaj e te gjithe do mahniten me talentin mor aman lot lot me derdh xhani nga suksesi juaj. Dhe ai maveria ai mo s’i e ka emrin po he mo thuaje se s’e gjej dot e pune e madhe varja teneqen, do t’ju kete zili.
E te tjera si keto keshtu do t’i ngjisim vetes llagape nje mbas nje sa lista te jete e gjate e kur te na prezantojne mor aman t’u mbahet fryma e te skuqen se mos na harrojne ndonje nga llagapet tane. A te lutem shume i kemi fituar me te drejte kemi deshmi certifikatat muri plot eshte mbushur me to.
Pa lere lere kur te ecim rruges ja ashtu te tere ne anetaret e Gazepeve aman mo iu qafsha do te mbeten me goje hapur.
Hajt tani e dini c’duhet te beni shkoni e shtohuni e shumohuni se keshtu i sherbejme atdheut dhe i ndrisim shpirtin atij te ndjerit te madherishmit te mrekullueshmit te bukurit qe lere mos e nga OSMAN GAZEPIT general kolonel. ushtar i gardes mbreterore, i urte sa s'ka, mendjemadh i ndritur, filozof i shquar, mendimtar i rralle, keshilltar dhe shoqerues i mbretit, diplomat qe dha kontributin e tij ne ceshtje te tilla delikate si dhjami qe del nga pleshti, studiues i ceshtjes te koklavitur te mishit qe u heng e lengut qe na mbeti, babai i babait te babait te burrit tim te gjashte te nderuarit e te ndriturit kryetar.

Me madheshti dhe ndricim,

Anife Borziloku Gazepi
Nenkryetare e Gazep-o-manise
Drejtuese e studimeve per punet e kota
Studiuse e thashemeve dhe puneve idiote
E madherishme si askush tjeter sa dhe toka ku eci shtrohet e tera ne flori
Defterxhije e shquar me mbi 1000 botime librash me flete bosh qe mbajne mendime filozofike nga me te fundit
Vjersharake e njohur vjershat e mia i kendojne te medhenj e te vegjel nga jane e nga s’jane dhe bebet i kendojne ne vend te se qares.
Qytetare e Nderit te madh te keshtjelles ne ere (kete te fundit sa ma dha im shoq me certifikate te shkruar me shkronja te arta vezullooojneeee, sa i mire eshte si yll moj aman)

Redaktoi dhe KORRIGJOI A.B.G. profesor doktor punonjes shkencor i departamentit te gjuhes meme

* Faleminderit shkrimtarit Profesor Naum Prifti shkrimi i te cilit "Gazepomania" u be shkak per sa lexuat

© Aida Dismondy Shtator 2008

NJOFTIME TE RENDESISHME NGA SITUATA KRITIKE DHE E DESHPERUAR E

....MIZAVE... korrespondenti i gazetes " Vaj me det"

Te nderuar dhe te panderuar lexues te medhej dhe te vegjel,
Sot ishte nje dite e madhe dhe e rendesishme per mizat te cilat ne nje mbledhje qe beri buje te madhe me zhuzhuzhune e tyre te udhehequar nga nje Mize nje cike me e madhe se te tjere miza dhe mizake dolen ne konkluzionin qe pason dhe kerkojne e protestojne per sa vijon:
Te dashur zonja, zonjusha miza dhe zoterinj mizake,
Jemi mbledhur sot ne proteste per te nxjerre ne pah meritat tona si miza per t’u ngritur ne maje te majes e per te marre vendin qe na eshte mohuar prej kohesh ne shoqerine e insekteve dhe te njerezve. Sic e shikoni zhuzhuzhu-ja jone eshte e madhe sot sic ka qene nga hera por sot ka me teper kuptim, sot do te tregojme se jemi deri ne fyt jo e kemi koken plot me tru pavaresisht se as vete nuk jemi te sigurt nese ky organ ekziston tek ne.
Duam te qartesojme e t’i japim fund situates makabre dhe te tmerrshme ne te cilen kemi rene. Jemi marre neper goje shume sidomos nga njerezit kjo specie qe na bie e na ka rene me qafe se koti e s’na ka lene te marrim firome po na ka bere copash me nje te rene te dores. Jo vetem kete por na kane vene dhe ne fjalen e tyre bajate qe ata me plot madheshti e quajne te urte:“ Mire kali qe na ngordhi po s’na lene rehat as mizat“ Kjo eshte e padurueshme. Ja shikoni sa stres ka krijuar mes nesh, fletet na dridhen dhe zeri yne melodioz u perngjan atyre te sorrave vec me te degjuar kete fjali. Ah te dashur shoke e shoqe, halli eshte i madh BZZZZZZZZZZZBZZZZZZ. Mendojme se eshte akuze pa te drejte, nuk jemi vetem ne qe shkojme tek kali i ngordhur apo c’tjeter bie ere kerrme jane dhe korbat. Po jo, s’ankohet kush per ta vec per ne mizat qe ne fund te fundit as nje cope mishi nuk i heqim kalit e ne fakt i bejme nder te gjorit ne dite te hallit. I vihemi atij teresisht ne sherbim kur dhe i zoti te cilin kali i ndjeri i gjori e ka gjezdisur cep me cep e ka braktisur, ne me shpritzemervogelsine tone te madhe i gjendemi atje e i ninullojme ne vesh zhuzhune tone te bukur.
Prandaj si perfundim kerkojme qe Bzzzbzzzzzzzzzzzzbbbzzzzzzzzzhuzhuzhu:
Te marrim Cmimin e (me) Nderosur per kontributin e madh qe japim ne dobi te shoqerise, komunitetit dhe buxhetit kudo qe jemi te pranishem.
Te na jepet Cmimi Bilbili gjyzar i Malit e i Fushes se kenga jone ne kor apo dhe solo ia kalon dhe bilbilit vete ( e duam cmimin ne emer te tij se duam t’i bejme qefin kodoshit)
Qe ketej e tutje te njihemi si mizat punetore dhe te denohet me ligj perdorimi i shprehjes „ mire kali qe ngordhi ... „ largqofte ta perdorim dhe ne ate far shprehje.

Zhuzhuzhubzzzzzzzzzzzhuzhuzzzzzzzzzzhuzzzzzzzzzzz
Mizat ne maje te majes se ...
Me kaq u mbyll me zhume zhuklesh dhe ky fenomen i padegjuar ndonjehere.

A.D. Shtator 1540

Tuesday, July 29, 2008

MODA (meditime mbi nje sfilate alla shqiptarce)

Ne forum u hodh lajmi per prezantimin e femres se pare nudo ne fund te sfilates se modes se stilistes M. T., nje prezantim qe zgjati vec 20 sekonda. E lexova lajmin dhe e vura tutje pasi qysh ne leximin e pare ishte nje nga ato lajmet qe te rrine ne mendje jo per nga lajmi por per nga pyetjet qe ngrihen ne kete koken time dhe fillojne e me ngacmojne dhe s’me lene rehat teksa sillem verdalle te permbush detyrat e dites. I hodha tutje pyetjet, dhe i thashe kesaj kokes sime, te me lere rehat se helbete atje s’isha dhe c’me hynte ne pune mua kush doli lakuriq kur apo per c’arsye? Sfilata ne Shqiperi une ne anen tjeter? Po eshte bela me kete trurin tim fillon dhe imagjinon krijon situata, dhe fillon e kelthet kur s’i kushtoj vemendje e me urdheron. Po, po, ky debati im me kete trurin tim i perngjan, mbretit me dy koke te perralles, qe vecse grindeshin tere diten. Nejse, s’po kaloj tek perralla dhe dua te beje paqe me trurin, ndaj ja dhe e zeza ne te bardhe.
Perse nudo ne fund te sfilates? E marrosur, po ja per efekt estetik. Jo, kjo imagjinata ime e perfytyron si nje mjet per te krijuar sensacion. Te shpjegoj pak kete imagjinaten time qe t’ju ndihmoj dhe ju qe lexoni te ndiqni fillin e saj. Perpara meje nje salle e mbushur me njerez, blitze, modele njera pas tjetres duke ecur ne pasarele me taka, me truke, me ecjen e stervitur te modeles, muzika, sfondi, njerez te rendesishem, ose si i quajne ndryshe VIP-a e ne fund pllup na del nje cupe me floke te shkurter a te gjate, se s’isha atje de, dhe rri drejt ne kembe pa ecur, vec njezet sekonda, mjaft sa te thote“Ta apo Ca“ ( e lojes se femijeve) dhe zhduket pas perdes. Dhe ua mal mal me fotografe qe po bien permbys te shkrepin aparatet, te marrin foton, sensacion, salla ka ndaluar se marri fryme heshtje e spektatoreve, goje te hapura, mbetur varur nga habia. Ua, po e pate mo ishte lakuriq. Po kjo? Se arti helbete behet per hir te artit po ka art te mire dhe art te keq. I them ketij trurit tim, shshshsh, se na degjojne e na shajne se na ngrihen kucedrat dhe na fillojne na grijne koken, e na fillojne thashemet, e na shajne se jemi roitur, na ka ik kaptina dhe s’jemi moderne te kuptojme bukurine e trupit te femres, qellimin e saj per te qene nudo. Shshshsh, i them trurit se do te me vesh ne bela. Mos i them. Po, ja qe eshte rrebel ky truri im, e imagjinata ime thote ka te drejte truri. Degjoje. Po mja me i them, fillove dhe ti. “Fillova” – me thote. Bela po i hap vetes, s’e kam une fajin, e ka truri qe s’me le te qete. E me thote, po merr per shembull artin, he sa vajza nudo ke pare. Plot i them, ka qe me pelqejne, se jane prezantuar me shije ka qe s’me pelqejne se jane bajate. Po kesaj c’i thua me thote? “Oh, mbylle o t’u mbyllte” i them,” qepe, c’ti them o i marre ta thashe, s’isha atje.” Me hap dosjen truri dhe thote po ja krahasoi, psh. Ticianin “ Venusin e Urbino” dhe Eduard Manet “ Olimpia”. “Po, leri o derbardhe”- i them- “c’me krahason, me qafsh”. “Po, he de he,”- thote marrosuri tru “ po kjo e sfilates pse s’te pelqen?”. I therras: “Boll, eshte pa shije do te kishte qene me mire te kishte ecur, e te kishte hequr petkat nje nga nje dhe te kthehej pas me konfidence duke ecur me salles ashtu, mbase keshtu vertete do te kishte treguar bukurine e saj, bukurine femerore, bukurine e trupit qe jep jete dhe fal dashuri. Jo ashtu sa per t’ia bere xa, dhe te turrej e fshihej pas perdes, sikur te kishte turp prej vet trupit te saj dhe jo si objekt arti i krijuar nga Zoti, e bukur, hyjnore e madherishme derin ne dhimbje. U kenaqe tani!”
I kenaqur s’me foli, beri paqe me mua, mbas 24 ore sherr.

Dismondy

Saturday, May 24, 2008

Humbja e Individit në tregimin e Faruk Myrtaj „ Turma e Dimrit“

Gjatë verës se shkuar pata rastin të takoj disa studentë polakë e rusë dhe biseda na çoi në kohën e socializmit. Historitë tona ishin të ngjashme, s’kishte shumë rëndësi ku kishim jetuar apo nga kishim ardhur, me pak ndryshime aty apo këtu, tërësia e përjetesës sonë mbante një emër socializëm, triumfi i bashkësisë kolektive, i punës së perbashket, lufta e klasave, vobektësia dhe frika e përndjekjes. Socializmi na kishte dhënë të tërëve në bllokun e Lindjes,shprehur në mënyrë figurative, një fytyrë. Kjo më kujton disa piktura nga një artist kinez që m’u dha rasti të shikoj në një nga godinat e shtetit. Pikturat ishin të mbushura me portrete njerëzish, por të gjithë ishin identikë, të gjithë kishin të njëjtën uniformë, të njejtën buzëqeshje, të njejtën prerje flokësh. Si ka mundësi që tërë kjo mori njerëzish të ketë të njejtën fytyrë? Ç’ndodhi me individin? Ç’dukuri të ketë ndodhur që ka çuar në këtë tjetërsim dhe formim të fytyrës kolektive? Origjinën e kësaj dukurie duket se ka marrë përsipër të shpjegojë rrëfyesi i tregimit të fundit të Faruk Myrtaj „ Turma e Dimrit“. Faruk Myrtaj është një penë e afirmuar në letrat shqipe dhe në krijimtarinë e tij gjejmë të lëvruar si poezinë ashtu dhe prozën, por njëkohësisht dhe gazetarinë e kritikën. Në tregimin „Turma e Dimrit“ Myrtaj në një gërshetim midis të tashmës e së shkuarës, të karakterit kryesor Rojes së Pallatit, përqendrohet në dukurinë e Turmës dhe na ofron një meditim mbi karakterin dhe natyrën e saj si dhe raportin individ - Turmë. Meditimi për Turmën është jo vetëm preokupim i rrëfyesit por Ajo vetë përmes përshkrimit dhe vendit që i jep autori, është shndërruar në personazh të tregimit, përkrah rojes, rrëfyesit të tregimit, dhe Valmirit. Qysh në titull, tregimi kaplon vëmendjen e lexuesit. Ç’të jetë kjo Turmë dhe pse e Dimrit? Turmat i hasim në raste mitingjesh apo dyndjesh. Ka turma të gëzuara por ka dhe të acaruara gati për të vandalizuar. Në aspektin historik si lexues kemi qenë dëshmitarë por dhe pjesëmarrës në turma, ndërsa në tregim, autori na tërheq vëmendjen se Turma së cilës ai i referohet është ndryshe nga simotrat paraardhëse apo pasardhëse historike. Kjo turmë aludon për Revolucionin Bolshevik, përmbysjen e një sistemi regjimi dhe vendosjen e një tjetri ku –sikur thote karakteri i Valmirit - të pasurit nuk ekzistojnë më, pra jo tjetër veç vendosjen e regjimit socialist. Një ngjarje historike pret të lexojë lexuesi, porse si mjeshtër i penës, Myrtaj nuk na paraqet detaje të revolucionit, atij nuk i interesojne ato, tjetërkund e ka qellimin; ai hyn drejt e në psiqikën e tij duke paraqitur një analizë të Turmës, kësaj force vepruese, që merr gjithëçka përpara, me një fytyrë të patipartë, të përbërë sikur thotë rrefyesi nga njerëz të shfytyruar, individë që kanë humbur vetveten ndërsa i janë bashkuar Turmës, e me të qenë pjesë e saj dhe koshiencën apo ndërgjegjen dhe të vepruarit me logjikë.
Karakteri i Valmirit që është krekosur përpara se t’i bashkohet Turmës, e paraqet më së miri këtë humbje të identitetit dhe individualitetit. Valmiri po i bashkohet Turmës, duke u nisur nga një fjali që ka dëgjuar pa pasur me Turmën ndonjë përputhje principesh, pasi në të nuk vërejmë ndonjë bindje të theksuar politike apo ideologjike. Ai është tip i lëkundshëm, nga ata që i thonë „Po“ çdo argumenti apo bisede pa u ndalur të mendojnë për vete. Shpotinë e Zonjës ai nuk e kupton teksa ajo luan me idenë e kalimit te Pallatit si pronësi të Valmirit. “Më duhet t’ju lë zonje” thotë Valmiri “ të bashkohem me ata të tjerët”. Qysh në fillim Valmiri prezantohet me një detyrim që ai duhet të përmbushë e njëkohësisht distancohet nga “ata” të cilëve do t’u bashkohet. Ku “ata” janë, është Revolucioni, kështu thotë Valmiri, ose më saktë “Revolucion “,dhe kuptimi i tij për revolucionin është tepër i përciptë dhe jo i menduar, madje është e qartë se Valmiri do të jetë veç një ndjekës i mendimeve apo dëshirave të dikujt, në këtë rast Turmës. Për të qenë më konkretë, këto janë fjalët e Valmirit ”ata thonë se pasuritë do t’u jepen të varfërve”, përsëri përemri i vetës së tretë “ata” dhe përsëri distancimi dhe tërheqja drejt tyre. Është e e rëndësishme të përmendet, motivi i vetëm pse Valmiri po i bashkohet Turmës është thjesht material. Më tej, të tërheq vemendjen në përgjigjen e Valmirit të shprehurit “ata thonë” teksa Valmiri bëhet gati të hyjë mes Turmës ai vazhdon të qëndrojë i distancuar nga “ata”, çfarë mund t’i japë dhe mundësinë e tërheqjes mirëpo e kundërta ndodh qysh në pikënisje Valmiri është i fshikulluar nga mendimet e të tjerëve, qysh në fillim Valmiri ka dorëzuar identitetin e tij dhe kapacitetin për të menduar si individ dhe t’i nënshtrohet përpara se t’i bashkohet asaj, t’i nënshtrohet Turmës.
Autori forcën vepruese dhe ndjellëse të saj e shpjegon në analogjinë e “ujit të kataraktit” dhe fuqinë e tij gërryese. Uji teksa lëviz krijon shtrat kështu dhe turma krijon shtratin e saj. Porse në veprim të kundërt me ujin që duhet të mblidhet pa të krijojë shtratin, turma e ka krijuar shtratin e saj shumë më përpara se të mblidhet si e tillë, i ka hyrë dhe ngulitur në mendjen e individit, të tipit të Valmirit, ajo ka vendosur indoktrinimin përpara se të formohet. Në këtë mënyrë individi nuk e shikon më veten si „Njëshi“ si Uni por si pjesë të një komuniteti më të cilin ai ndan një mendim, në rastin konkret dëshirën për t’u pasuruar. Këta individë që i bashkohen turmës nuk kanë forcën në vetvete të kundërpërgjigjes ata sikur Valmiri,“binden lehtë“ nuk duhet shumë përpjekje për t’i tërhequr këta individë dhe për t’i paraqituar ata me joshjen e psikozës së Turmës. Psikoza e Turmës mëkon dëshirën e natyrshme të individit për të qenë pjesë e një komuniteti, të cilen Sigmund Frojd e lidh me principin e kënaqësisë, ndërsa rrëfyesi e krahason me „verbimin e kënaqësisë seksuale“. Veçse dëshira e lindur e njeriut për të qenë pjesë e komunitetit ndryshon nga të qenit pjesë e Turmës, pasi individi në komunitet supozohet të ketë mundesinë e ushtrimit të vullnetit të tij të lirë, kjo nga një pikëpamje iluministe, ndërsa Turma, mentaliteti i saj e mbyt „Njëshin“, ashtu sikur e shpjegon dhe autori „nuk gjendet ngè të mendohet si individ“. Njëshi, individi paralizohet nga Turma dhe gjithëçka e tij i dorëzohet forcës hipnotizuese të saj, të cilën autori e përngjason me „një xhevahir të rrallë“. Ky është pikërisht qëllimi i Turmës, joshja e individit, për ta pasur atë nën kontroll që më pas Turma të vendosë tërësisht sundimin e ideve të saj.
Jo vetëm Valmiri, që vullnetarisht i dorëzohet Turmës por dhe rrëfyesi, Roja e Pallatit ndodhet në dilemë përpara saj. Ai e ka të vështirë t’i rezistojë Turmës, pasi ajo është „e frikshme“, e të gëlltit në gojën e saj të mbushur me dhëmbe të gërryer, të kalbur.
Të perballurit me Turmën për Rojen i përngjan luftës, më saktë, duke iu referuar Darvinizmit, luftës për ekzistence. Të mbijetojë ai duhet të shkojë me Turmën përndryshe, sikur ai pohon do të behet „bezhdile“ apo „ashkë zjarri“. Roja në raportin që vendos me Turmën dallon kështu nga Valmiri, ai i bashkohet Turmës për mbijetesë. Frika e momentit bëhet shtytësja që roja t’i bashkohet turmës. Duke sjellë kështu ndërmend një përqasje historike ku mijëra e mijera që brohoritën nëpër turma e vazhdojnë t’u bashkohen atyre, bëjnë kështu për shkak të frikës që i kap për momentin, sikur rojen rrëfyes, frikës së mos përfundimit në „bezhdile“. A mund ta quajmë hipokrizi vendimin e rojes për t’iu bashkuar Turmës? Mbase, por dhe jo. Të qenit „ashkël zjarri“ nuk i shërben askujt, madje as atij vetë, të paktën në një formë ekzistence sado të kufizuar, roja bëhet kritik i asaj që përjeton dhe na e prezanton në komentet që ofron për Turmën. Njëkohësisht rrëfyesi është i kujdesshëm të mos identifikohet me Turmën, ai ndonëse vepron si Ajo, nuk vandalizon por përkundrazi rend më tepër për të mbrojtur objekte të dashura të tij, një libër, jo nje libër dosido,por librin e tij më të dashur, në dhunën e kujdesur ndaj librit ai e shpëton, shpëton atë grimcë dijeje dhe kënaqësie që rrëfyesi ka gjetur në faqet e atij libri, dhe nuk ia dorezon Turmës e ngre në ajër për ta vënë më pas pranë zemrës. Libri është thesari i tij, “xhevahiri” i tij i “rralle.” Roja rrëfyes, teksa është brenda turmës shikon nga aftër vërshimin shkatërrues të saj në gjithëçka që prek teksa lëviz e tëra si masë, në kulmin veprues të saj.
Turmën nuk e shikojmë veç në lëvizje, e shikojmë dhe të transformuar në të tashmen e rrëfyesit, ndërkohë që në dukje paraqitet e shpërndarë por edhe si një rrjedhë uji e paqme, pasojat e saj tek individi janë te pariparueshme, ai është i tulatur dhe ka dorëzuar Unin, për hir -duke iu referuar përsëri Frojdit- të objekteve të dëshiruara që i japin ose ai është i bindur se i japin kënaqësi. E thënë ndryshe, individi nuk ekziston më, është shndërruar në objekt që i përket Turmës. Kjo duket edhe në përdorimin e fjalëve e atyre, të cilët duan të bëjnë një paraqitje të ngjarjeve në një film, siç e dëshironin ata të kishte ndodhur. Filmi është një iluzion i realitetit dhe kurrësesi realiteti, realiteti eshte i montuar t’i pergjigjet vizionit artistik te kineastit. Kineasti ne kete raste është Turmë, forca e së cilës - në të tashmen e rrëfyesit - vepron për të ndërtuar imazhin e saj, për të vendosur në psiqikën e objekteve të saj një realitet imagjinar. Këta “artdashës“ duan të përfundojnë projektin por dhe ky është kolektiv askush nuk flet në vetën e parë, çfarë do të sinjalizonte individin ose rivendosjen e Unit, ata flasin në shumës përdorin përemrin vetor “Ne”. Në emër të barazisë refuzojnë të njohin veten si individë, me tipare e mendime të veçanta e kanë marrë fytyrën kolektive të Turmës. Turma ka triumfuar dhe ka në dorë jo veç „xhevahiret“ pra materien, pasurinë e dëshiruar por sikur shprehet Karl Marksi „është dhe forca intelektuale guvernuese“, me fjalë të tjera Turma dikton dhe intelektin e individit duke këmbëngulur që t’i nënshtrohen asaj. Madje ajo ka kaq tahma sa nuk pyet as për ata, Valmirët, që u verbuan nga premtimet joshëse të saj. Nga ana tjetër individit si mbetet tjetër veç të manovrojë brenda psikozës së Turmës, sikur roja rrefyes. Individi e ka të vështirë të shkojë kundër rrjedhës së saj me detyrim ai bëhet finok, tjetërsohet ose hesht. „Hapa portën dhe mbeta gjallë...“ thotë rrëfyesi. Pra, e vetmja gjë që i lejohet individit është liria e kufizuar, mbijetesa e përditshme, sikur u përmend më sipër. Pa qenë pjesë e Turmës, individi bëhet molekulë apo atom i saj, qoftë dhe fjetës, pasi të jemi të vetëdijshëm se Turma për të cilën kemi lexuar nuk është dosido. Ajo është Turmë Dimri, e nëse i referohemi sërish analogjisë së ujit të kataraktit, kjo masë uji në dimër ka shumë mundësi të ngrijë dhe të shndërrohet në akull. Me fjalë të tjera, jo vetëm që shkatërron si masë uji në lëvizje gjithë sa i del përpara por dhe ngrin. Me raste ngrin veç në sipërfaqe e me të ardhur pranvera fillon e shkrin, por të mos harrojmë se Dimri i sjellë nga Turma në fjalë ishte i tejgjatë, gjysmë shekullor, u shndërrua në akullnajë e ngriu dhe mbyti miliona individë. Psikoza e saj ka lënë gjurmë në sistemin nervor të individit që herë përpëlitet e herë gjallërohet në realitetin e ri të passhkrirjes. Por autorit s’i intereson passhkrirja, Myrtaj na lë në mendime, në të tashmen e rojes dhe pas Revolucionin, akoma në Dimër. Çdo të bëhet me rojen? Përgjigjen e ofron kujtesa kolektive dhe individuale e të gjithëve ne që përjetuam Dimrin.

© Dismondy Michigan 24-5-2008

Tuesday, January 29, 2008

VETЁM RRAPI I MOÇЁM I BEZISTANIT KA MBETUR PA QETHUR!

Klima, qyteti i Elbasanit dhe përgjegjësia qytetare:
Në një kohë që e gjithë bota po trajton me të madhe problemin e Ngrohjes Globale, dhe po bëhet një 'autokritikë' e njeriut si dëmprurës në këtë problem në Shqipëri, pikërisht në Elbasanin tim të lindjes, sërish dora e njeriut vë sëpatën mbi pishat, mushkëritë e pakta që që pastronin 'kancerin' e tymit. Sot pata mundësinë të lexoj një shkrim të Dilaver Baxhakut mbi prerjen e pishave në qytetin tim të lindjes Elbasan. Njëkohësisht ndoqa dhe filmin dokumentar të Fatmir Terziut "Clouds of Smoke" (Retë e Tymit) një prodhim i Terziu Media Productions & Film në bashkëpunim me Departamentin Britanik të Mjedisit, Ushqimit dhe Aferave Bujqësore dhe gazetarin e BBC-së Mike Sergant. Të dy zotërinjtë janë nga ky qytet dhe ndonëse trajtojnë subjekte të ndryshme, kanë një shqetësim të perbashkët shkatërrimin e sistemit ekologjik në qytetin e Elbasanit. Duke u nisur nga informacioni i dhënë prej Baxhakut dhe Terziut është e qartë se gjendja e mjerueshme e mjedisit në Elbasan është nga njëra anë rezultat i neglizhencës lokale dhe asaj burokrate. Kjo neglizhencë pasqyrohet në filmin dokumentar të Terziut, ku padyshim absurdja përqëndrohet rreth lëshimit të gazrave ndotës dhe vrasës nga fabrika të cilat duhen të mbyllen ose janë në nevojë renovimi të domosdoshëm për të reduktuar lëshimin e gazrave të dëmshëm në atmosferë e sidomos në ndotjen e ajrit për qytetarët e Elbasanit dhe spostimit të plehrave të qytetit në një fushë masive në periferi e djegien e tyre pa kriter. Lëshimi i gazrave nga djegia e këtyre të fundit s'bën gjë tjetër porse u shtohet atyre të lëshuara nga fabrikat e stërvjetëruara.Nga ana tjetër është arbitrarizmi burokrat dhe vendimet e pamenduara me rezultate katastrofike për pamjen dhe ekologjinë e qytetit, sikur rezulton nga artikulli i Baxhakut.
Për qytetarët e Elbasanit ndotja e mjedisit s'është një fenomen i ri, çdo kush e kujton tymin e kuq që binte mbi rrobat që thaheshin në ballkone, e që vinte nga oxhakët e Metalurgjisë gjatë viteve të socializmit. Edhe gjatë asaj kohe qytetarët e Elbasanit ankoheshin dhe e mallkonin katraurën e hekurt, ndërtuar në fushë pjellore. Por le të mos kalojmë në reminishencë e të fokusohemi në të tashmen. Ç'mund të behet në këtë drejtim? Si mund të kontribuojnë qytetarët për të mirëmbajtur qytetin e tyre dhe si të mund të gjejnë një zgjidhje zyrtarët e zgjedhur në Bashkinë e qytetit? I shtroj këto pyetje-shqetësime, sepse më duket se situata nuk është e pashpresë, megjithëse edhe mund të duket e tillë në aparencë. Ndonëse nuk kam dyshim në afrimin e zgjedhjeve të mundshme nga ekspertët e mbjedisit dhe atyre nëpër zyrat e Bashkisë, dëshiroj të paraqes disa zgjidhje të mundshme për qytetin e Elbasanit në një perpjekje për të kontribuar në përmirësimin e ambientit dhe gjelbërimin e qytetit.
Së pari, plehrat në periferi të qytetit: Duke menduar se zyrtarët e Bashkisë janë të decentralizuar ata mund të shikojnë mundësinë e bashkëpunimit me kompani të huaja të trajtimit të plehrave, të cilat kanë eksperiencë jo vetëm në grumbullimin dhe trasportimin e plehrave por dhe në ndërtimin e landfills dhe shndërrimin e gazit të prodhuar nga procesimi në energji për kosumatorët ose qytetarët e Elbasanit, pa ndotur ambientin. Kjo natyrisht kërkon studimin dhe koston e projektit, porse ndodh shpesh që kompanitë e interesuara të mbulojnë koston e shpenzimeve. Sa kohë që marrëveshjet nuk u përngjajnë atyre të tipit italian, sjelljes së plehrave dhe procesimin e tyre në Shqipëri, projekte dhe marrëveshje këto që myken diku nëpër sirtaret e tavolinave që kanë ndërruar gustot e kryetarëve të Bashkisë. Izraelitët p.sh. kanë zhvilluar një sistem mjaft të mirë për procesimin e plehrave dhe të përpunimit të ujrave të zeza (përmend Izraelitët pasi sistemi i tyre i trajtimit të mbeturinave është tepër i avancuar dhe i vlerësuar). Një mundësi bashkëpunimi mund të shikohet në këtë drejtim. Organizatat qeveritare dhe jo qeveritare për mbrojtjen e ambientit në Shqipëri mund të përdoren për të ndermjetësuar këto bashkëpunime.
Një vëmendje e veçantë, nga ana tjetër, i duhet kushtuar ndërgjegjësimit të çdo qytetari për kujdesin ndaj ambientit ku banon. Ёshtë e rëndësishme që të jetë një mirëkuptim se jo vetëm shtëpia ku banon ka rëndësi të mbahet e pastër por dhe vendi jashtë saj, aty ku lozin fëmijët. Një shoku im më tregonte sesi një miku i tij gjerman ishte çuditur kur shikonte shtëpitë kaq të pastra në Elbasan dhe mbeturinat që fluturonin nga dritarja. Një paradoks i vërtetë. Ndërkohë që janë vënë kosha plehrash, e mira do të ishte të vendoseshin dhe kosha për riciklimin e objekteve të ndryshme p.sh. në Gjermani koshat janë të ndarë, një për plehra, një për objekte riciklimi plastike dhe letra e një tjetër për objekte qelqi, kjo për ambientet publike, kurse qytetarët nga nga tjetër i ndajnë plehrat dhe objektet ricikluese në shtëpi dhe i vendosin në qeset përkatëse. Ndërsa në Amerikë çdo shtëpi merr nga komuna kundrejt një pagese prej 10 dollarësh një kosh që është veç për objektet e riciklimit. Në të dy shtetet ekziston dhe gjoba për hedhjen e plehrave pa kriter, në Amerikë është rreth 500 dollarë. Pra, në këtë mënyrë çdo qytetar jep kontributin e tij dhe është i ndërgjegjshëm për rolin që luan në mirëmbajtjen e mjedisit, pa pritur që gjithëçka të vijë me urdhër nga lart. Të kuptohemi drejt nuk e kam fjalën për adoptimin e praktikave të huaja, se natyrisht 500 dollarë është një shumë e konsiderueshme për xhepin e një qytetari amerikan le më pastaj të një qytetari shqiptar, por ideja është në rritjen e kontributit qytetar për mirëmbajtjen e qytetit.
Së fundi rigjelbërimi i qytetit. Gjuha shkon ku dhemb dhëmbi. Mbas katastrophës së qendrës së qytetit prerjes së pishave dhe krijimit të një pamjeje që të vret sytë, punësimi i një specialisti të pyllezimit dhe kopshtarisë (landscape designer) do të ndihmonte në këtë drejtim, që të mund të paraqes një projekt plan për riparimin e sheshit kryesor të qytetit. Ndonëse besoj se zyrtarët e Bashkisë e kanë tashmë projekt planin përndryshe nuk do të kishin filluar një projekt kaq ambicioz sa zhveshja e qytetit nga gjelbërimi. E nëse jo, është kjo një shenjë e mungesës së profesionalizmit dhe ekspertizës nga ana e projekt menaxherit. Çdo projekt fillon me koston, kohën dhe objektivat që duhen plotësuar për ta përfunduar, të tëra këto i lidh kualiteti. Fakti që fondet s’mjaftojnë për të përfunduar projektin e nisur tregon se me sa duket plani është bërë veç për fazën e parë të projektit (atë të prerjes së pishave dhe shkatërrimit të trotuareve) duke harruar fazat e tjera të tij. Pra, nëse fjalët që qarkullojnë se projekti u la për mungesë fondesh janë të vërteta, është ky një tregues i punës së dobët jo vetem të projekt menaxherit por të të tërë grupit bashkiak që miratoi projektin.
Meqë fondet mungojnë atëherë si të mund të sigurohen përndryshe qendra e qytetit do të mbetet sikur është tani, në një gjendje të mjerueshme për vite që vijnë. Duke qenë se bashkia nuk ka fonde ma do mendja që fisnikëria dhe bujaria e biznesmenëve të qytetit do të mundësojë fondet për këte projekt. Organizimi i një evenimenti me pikësynim sigurimin e fondeve (fundraising) do të ndihmonte në mbledhjen e tyre. Në këtë rast krijimi i një bordi qytetar është i domosdoshëm për monitorimin e fondeve dhe përpara tij projekt menaxheri duhet të raportojë lidhur me mbarevajtjen e projektit dhe përdorimin e fondeve.
Përpos anës financiare qytetarët mund të japin pak nga koha e tyre për të rregulluar ambientet e qytetit. Jo shumë larg qytetit ku banoj në anë të autostradës është një pllajë e mbjellë me lule dhe e zbukuruar. Sapo afrohesh lexon një pllakatë të vockël " Kjo parcelë mirëmbahet nga nxënësit e shkollës së mesme". Në shkollën e tim biri nxirret një njoftim herë pas here për të mbjellë lulet në kopshtin e shkollës apo disa zarzavate, ku prindër dhe fëmijë mblidhen së bashku për të zbukuruar ambientin rreth shkollës. Gjithashtu çdo qytet ka klube kopshtarësh ku bëjnë pjesë qytetarë të cilët vullnetarisht kontribuojnë kohën e tyre për zbukurimin e qyteteve ku banojnë. Ky është një gjest në të mirë të komunitetit për ta bërë atë të këndshëm e tërheqës jo veç për banorët por për këdo që vjen. Ёshtë një ndjenjë krenarie që banorët kanë për qytetet apo komunitetet ku jetojnë dhe bëjnë ç’ka është e mundur për t’i mirëmbajtur. Dikur ne kemi bërë aksione për mbjelljen e pemëve. E di dikush do të qeshë e do të mendojë : " Po pse në kohë të Enverit jemi ne?!!" Jo, nuk jemi në kohë të tilla dhe as i dëshiroj të përsëriten, por, angazhimi i qytetarëve dhe i nxënësve të shkollave krijon mundësinë e pjesëmarrjes, e dhënies së kontributit sado i vogël apo i madh që rezulton në ambiente të mirëmbajtura pune dhe jetese. Askush nuk i vë shkelmin një diçkaje për të cilën është djersitur së punuari.
Mbase, mbase një iniciative nga shkollat e mesme të qytetit do të angazhonte studentët (nxënësit) për të mbjellë e u kujdesur për disa pemë që i nevojiten qytetit të Elbasanit. Elbasan i bukur Elbasan, thotë Baxhaku në artikullin e tij duke e perfunduar këtë frazë me një pikëpyetje, ndërsa Terziu jep një pamje të ish-pishave të moçme të ngarkuara me dëborë që shkrin si rezultat i tymit dhe këshillon për përgjegjësinë që ka çdo qytetar në mbrojtjen e mjedisit. Koha e komunizmit ka ikur së bashku me kohën e heshtjes së qytetarit nga frika e persekutimit, është koha e kontributit dhe e përgjegjësisë qytetare. Veç në këtë mënyrë do të ndalohet arbitrarizmi burokrat i zyrtarëve dhe do të mund t'u trashëgojmë gjeneratave pasuese bukuritë e qytetit në të cilin ne u rritëm. Pishat ikën e janë tani pjesë e historisë së shkuar, le të mos lejojmë që indiferenca jonë qytetare të na bëj sehirxhinj nëse nesër i vjen rradha dhe Rrapit të moçëm të Bezistanit apo shndërrimit të qytetit në një kosh ku hidhen mbeturinat kimike dhe plehrat. Kaq pak ja detyrojmë vetes dhe fëmijëve tanë.

© Aida Dismondy 23 Janar 2007

Wednesday, November 21, 2007

DY SHKRIME

Mesazhi i Paqes ne nje nga veprat e Akil Kocit

Botuar tek gazeta " ILLYRIA", " Revista Kuvendi", gazeta "Telegraf", dhe revista "Pelegrin".

Duartrokitjet në ekran më përmendin se muzika tashmë ka mbaruar, tingulli i pianos është mekur dhe kori ka rënë në heshtje. Mendimet e mia kanë filluar të vlojnë (përlotur jam gjithashtu) gjatë tërë kohës së dëgjimit të “Gloria Festive - Nënës së Dhembjes ” kushtuar Nëna Tereze, nga kompozitori i shquar shqiptar Profesor Akil Koci. Menjëherë mora lapsin e fillova të shkruaj përshtypjet e mia për Gloria Festive; dy rreshta ia dërgova dhe vetë kompozitorit, duke pohuar ndrojtjjen dhe dyshuar guximin tim. E rëndësishme është kjo vepër për mua, jo vetëm si një vepër e çmuar e repertorit të pasur të muzikës klasike shqiptare, por vlera e saj shtohet në mesazhin që mban. Këtë mesazh po e shtjelloj më tej në rreshtat e këtij artikulli, me shpresën e ngjalljes së kërshërisë nga ana e lexuesit, për ta dëgjuar e ridëgjuar Gloria Festive. Veprimtaria krijuese dhe profesionale – ajo si studiues dhe gazetar - e Profesor Akil Kocit shtrihet në një periudhë prej pesë dekadash. Profesor Koci ka lindur në Prizren, ku ndoqi shkollën e mesme të muzikës, ndërsa studimet e larta i kreu në Akademinë Muzikore të Sarajevës. I konsideruar nga koleget si një kompozitor me tingull muzikor avandgardë, krijimtaria e Profesor Kocit ka pasuruar e pasuron zhanrin klasik dhe atë bashkëkohor të muzikës. Për lexuesin po përmend këngën “Zambaku i Prizrenit”, dhe baletin “ Sokoli e Mirushja”, muzika e të cilave mban emrin e kompo-zitorit. Obligimet e shumta nuk e ndalojnë Profesor Akil Kocin të jetë një mësues i palodhur në përgatitjen dhe përkrahjen e artistëve të rinj.
Në shenjë mirënjohjeje për krijimtarinë e kontributin e Profesor Kocit në muzikën shqiptare, dhe me rastin e 71-vjetorit të lindjes, orkestra filarmonike e Kosovës vuri në skenë dy pjesë nga muzika e kompozitori: Psalmi dhe Gloria Festive – Nënës së Dhembjes. Psalmi është një arritje më vete por, sikur përmenda dhe më lart, fokusi i këtij artikulli është në Gloria Festive – Nënës së Dhimbjes. Tre janë komponentët e saj: muzika, kori dhe recituesja. Integrimi i recitueses Safete Rugova është një surprizë e këndëshme, duke qenë se në kësi rastesh dëgjuesi pret debutimin e sopranos. Vargjet janë një përzgjedhje e krijimeve të disa poetëve shqiptarë, mes tyre: Ali Podrimja, Mark Krasniqi, Enver Gjerqeku e Zoi Shyti. Gloria Festive është një vepër, ku Profesor Akil Koci prezanton njeriun me luftën e tij, për të bërë paqe me padrejtësitë dhe mundësia për ta arritur Paqen përmes dashurisë së prezantuar në figurën e Nëna Tereze. Gloria Festive hapet e qetë “ Në brigjet e Vardarit/ në agun e Prillit” me një recitim solemn e njëkohësisht të përulur, ndërkohë që i heshtur dëgjohet tingëllimi i një këmbane. Ёshtë këmbana, që njofton lindjen e një mrekullie, atë të fëmijës, të Gonxhe Bojaxhi. Njerëzimi, më pas do ta njihte si Nëna Tereze, murgesha shqiptare, që dha dashurinë am’nore pa kufi e dallim “ për të vegjël/ për t’bardh’ e t’zi”. Kjo dashuri e dashamirësi për njeriun është një nga virtutet e Nëna Tereze, me rrënjë të thella në “traditën e lashtë/ të bujarisë shqiptare”. Kompozitori Akil Koci, i kujton shqiptarit, traditën e bujarisë, që së fundi duket se është groposur diku në thellësitë e tokës nga ku e ka vështirë të dalë, e akoma qëndron në errësirë. Nga errësira kërkon ta nxjerrë kompozitori e dëshiron ta ulë përsëri këmbëkryq në vatrat shqiptare.
Muzika fillon të marr hov ngadalë, tingujve të qetë të këmbanës u shtohen sikur fshehurazi, ato të daulleve. Këto tinguj i shtojnë një ton shqetësimi atyre të këmbanës, duke triumfuar më pas në një shpërthim energjik e tragjik të të tërë orkestrës. Befasues është ky hov i menjëhershëm për dëgjuesin, ai përballet me një vepër muzikore, që i provokon ndërgjegjen. Muzika gjëmon e fuqishme, marramendëse me një kushtrim e një tingull marshi, që tregon se mendimet e kohët për njeriun janë të turbullta. Ky lloj tingulli i muzikës së Profesor Akil Kocit nuk është rastësi, në to ndjehen notat e valleve shqiptare: ajo e malësisë, e shpatave, e Skënderbeut. Në veprën e Profesor Kocit, njeriu është i kapur në një agoni dhe luftë: me veten,‘mes vedi’, me botën e me padrejtësitë, që koha e shekujt i kanë vënë mbi supe. Ai përpëlitet në agoninë e dhimbjes e lufton me vdekjen që i është ulur në sofër. Angazhimi i menjë-hershëm i harqeve dhe qetësimi i daulleve zbusin pak tonin tragjik të veprës dhe muzika i përshatet meditimit të njeriut. Njeriu përpiqet të marrë pak frymë e të shkundë agoninë. Kjo përpjekje për momentin është një antagonizm i ndjenjave të tij: dëshira për të mirën, për të gjetur paqe dhe revolta për hakemarrje. Ky antagonizëm, në veprën e Profesor Kocit merr formën e një monologu, ku kori e muzika ndërthuren e krijojnë replikat e këtij monologu. Sërish muzika vazhdon me nota dramatike, prekëse e të zymta, si një marsh ankthi e lufte. Asgjë nuk është e qetë, gjithëçka vlon, shpirti e mendja e njeriut në veprën e Profesor Kocit vazhdojnë të jenë të zymta nga dhimbja e padrejtësia, në harresë është Zoti, në harresë është Nëna Tereze. Kori fillon të këndojë, këtë herë ai është zëri i arsyes, që qartëson logjikën e paqartë të njeriut të lodhur. Ai, njeriu, përmes korit, vazhdon të numërojë lëngatat, qarjet, vdekjen, dhembjen që e ka plakur dhe e ka bërë të motshëm. Çfarë të bëjë njeriu? Do të jetë i mirë, do të ndryshojë por s’mundet. Kompozitori nuk ngelet në përsiatjet e ankthit të njeriut, tjetërkund e ka ai qëllimin dhe i kthehet Nëna Tereze. Një ritëm të ngadaltë merr muzika. Zëri i qartë e kumbues i recitueses i rikujton njeriut, dashamirësinë e Nëna Tereze, e cila në momentet e dëshpëritmit iu gjend pranë njeriut duke i nanuritur “ Zoti qoftë me ju”. Kjo nënë ishte “një Mëmë Shqiptare”, e cila ka vite që në vesh i nanurit edhe shqiptarit. Kompozitori Akil Koci i kërkon njeriut të shkundë mllefin që e ka ngulitur përpara altarit të tij dhe, si djalli nuk e le të qetë të gjejë paqe. Kompozitori i sjell shqiptarit, dorën e Nëna Tereze, e cila “ mbi eshtrat e shqetësuara, lan shkrumin e lan vdekjen”. Profersor Koci i jep njeriut, shqiptarit, dorën e Zotit, e thërret atë nën çatinë mbrojtëse të tij, e thërret për paqe.
Këtu orkestra pothuajse pushon, pianoja fillon të shoqërojë korin në këndimin e Meshës, duke gëzuar për zgjimin e një fillimi të ri. Kori thërret dëgjuesin, shqiptarin, për t’u bashkuar në “ shpresën e lindjes në vajtim”. Fton t’i zgjatim dorën njëri- tjetrit, sikur Zoti e Nëna Tereze i zgjati njeriut, dorën e dashurisë, duke përmbushur qëllimin final të kompozitorit Akil Koci; për të cilin mirëdashësia, mirëkuptimi mes njerëzve janë të mundëshme, sepse rrënjet i kanë të thella në bujarinë shqiptare. Janë këto rrënjë, që Nëna Tereze mori me vete dhe preku njerëzimin e udhëhequr nga Zoti, që më 19 Tetor 2007 çuan në shenjtërimin e saj, në përmbushjen profetike të vargjeve të vepres kur “ këmb-anat e rënda/ në botën mbarë/ “ jehuan “gëzueshëm/ për nder të një emri shqiptar.”
Kompozitori Akil Koci e fton shqiptarin të mbjellë në zemër dashurinë - dhe atëherë kur mendja është e turbullt- duke ndjekur shembullin e shenjtores Nëna Tereze. Gloria Festive – Nënës së Dhembjes nuk është vetëm një vepër e muzikës klasike shqiptare, por është një Hymn Paqeje drejtuar popullit shqiptar brenda dhe jashtë trojeve të Republikës së Shqipërisë nga biri i trungut të saj, kompozitori i shquar Akil Koci.

© Aida Dismondy 22 TETOR 2007

Ka ardhur koha të bisedojmë me fëmijët mbi abuzimet seksuale
Botuar tek "Revista Kuvendi" dhe gazeta " Ndryshe"

S’ka shumë ditë që trupi i dhjetëvjeçarit Bekim Çenga u gjet i pajetë, tmerrësisht i dhunuar nga dora dhe veprimet monstruoze të Shpëtim Zikos. Gazetat rendën të japin detajet e lajmit të kobshëm, pa marrë parasysh ndjenjat e familjes të të ndjerit dhe moshën tepër të njomë të Bekim Çengës. Madje ishin të menjëhershëm për të dhënë dhe diagnozën për Shpëtim Zikon, duke e cilësuar të “sëmur mendor”. Sa tipike për shoqërinë! Kur gjërat nuk venë mbarë e gjejmë zgjidhjen tek “sëmundjet mendore” dhe, kështu lirojmë kriminelet, mbasi i mbajmë mbyllur për disa muaj në ndonjë spital psikiatrik. Ndërkohë që këta me të qenë të lirë bëjnë llogari për të gjetur viktima të tjera. Mjaft, mjaft me këto ekspertiza fallco. Shpëtim Ziko është një maniak seksual, që çdo veprim të tij e bëri me paramendim. Ai është pjesë e asaj kategorie njerëzish që marrin e shkelin brutalisht ndjenjat e fëmijëve tanë e vrasin, duke përdhunuar trupat e pambrojtur të tyre. Pse diagnoza “ i sëmur mendor”? Mos vallë s’duam të pranojmë se në shoqerinë shqiptare ekzistojnë abuzues seksualë? Apo duam të qetësojmë publikun, që të mos alarmohet dhe të realizojë mendimin, “zbutjen”, se jeta e perditshme e fëmijëve ka ndryshuar. Fëmijët po shiten, po përdoren si prostituta, po dërgohen jashtë atdheut, po detyrohen në punë të rënda, po detyrohen të sigurojnë bukën e familjes, duke braktisur shkollat e mbushur rrugët me objekte të vogla për të shitur, apo duar që zgjaten për të lypur, po përfundojnë viktima të krimit. Ky është realiteti i shoqërisë shqiptare, që mënjanohet sikur të mos ekzistonte, apo sikur një dorë magjike do të rregullohnte gjithëçka. Bekimi nuk vjen më në jetë, por ata që janë sikur Shpëtim Ziko, jo të “sëmurë mendorë”, por njerëz pa vlera do të vazhdojnë të jenë mes nesh. Ёshtë detyra jonë si prinder të këshillojmë fëmijët, që të kujdesen të mos bëhen viktima të abuzimeve seksuale, njësoj siç bisedojmë me ta të kenë kujdes nga makinat kur kalojnë rrugën, kujdes kur zgjedhin shokët apo kur shkojnë në shkollë.Ne, si prindër nuk mund të bëjmë gjithëçka për të mbrojtur një qind për qind fëmijët por, duke i mësuar e biseduar me ta, mundësojmë pajisjen e tyre me dijen e nevojshme për t’u mbrojtur. Dije që shpesh në raste të tilla u shpëton jetën. Duke pasur parasysh statistikat, viktimat e abuzimeve seksuale janë zakonisht fëmijë nën moshën 10 vjeç. Abuzuesit zakonisht janë njerëz të njohur të familjes, më të moshuar ose fëmijë të rritur. Shpëtim Ziko e njihte Bekim Çengën. Më poshtë vijojnë disa udhëzime, që prindërit mund t’i përdorin e ndihmojnë fëmijët t’u shmangen abuzimeve seksuale. Dikush mund të mendojë se kjo temë është tabu. A do të qëndrojmë akoma indiferentë dhe të lejojmë jetë të pafajshme të humbin në duart e këtyre monstrave? Abuzuesit seksualë të fëmijëve nuk mendojnë për tabu, ata mendojnë për viktimën tjetër. Si prindër është përgjegjësia jonë të mbrojmë fëmijët. Komunikimi është një nga themelet e marrëdhënies prindër - fëmijë. Bisedoni me fëmijët, djem e vajza. Këshilla ” Hap sytë, kij kujdes” nuk mjafton. Në bisedën me fëmijët duhet të jemi konkretë. Si prind vendos kur, ku dhe si do të bisedosh mbi këtë subjekt me femijën. Nuk është e thënë të japësh detaje. E rëndësishme është biseda.Mbajeni komunikimin të hapur, ndërtoni besimin tek fëmija, duke treguar se si prindër i kushtoni vemendje shqetësimeve, problemeve, jetës së fëmijës.Mësoni fëmijët të mos shoqërohen me njerëz më të mëdhenj në moshë. Natyrisht, shoqërimi me më të medhenjte ka anet e veta pozitive por jeni të arsyeshëm dhe gjithëçka me masë. Mëso ku shkon, me kë dhe çfarë bën fëmija. Kjo s’do të thotë të luani rolin e policit, por drejtojuni fëmijës me pyetje të natyrës: “ Ku ishe sot? Ç’bëtë sot me shokët? A ndodhi ndonjë gjë e veçantë?”Udhëzoni fëmijët të mos hyjnë në shtëpinë e dikujt vetëm, nëse aty s’ka njerëz të tjerë. Nëse do të largohen me ndonjë më të rritur të njoftojnë prindërit. Nëse dikush i propozon për të shkuar në një xhiro me makinë, apo për një shetitje mësoni fëmijët të thonë “jo” dhe të kthehen menjëherë në shtëpi. Në rast rreziku të thërrasin për ndihmë. Mësoni fëmijët të luajnë me shokët e tyre dhe të mos shkojnë diku apo me dikë vetëm, kurrë vetëm. Bisedoni me femijët të mos pranojnë dhurata nga të njohur e të panjohur, pa prezencën e prindërve. E di, duket e çuditëshme të mos pranosh dhuratë, por nëse dikush vërtetë do që t’i dhurojë diçka fëmijës, do ta bëjë këtë natyrisht në prezencën e prindërve. Mësoni fëmijët të mos u afrohen makinave, që pyesin për drejtime, por të qëndrojnë në distancë prej disa metrash e të rrinë afër me shokët. Nëse fëmija merr mësime private, qëndro aty derisa mësimi të mbarojë. Këto duhet te jenë biseda të shpeshta. Sikur u përmend më sipër, si prind vendos kur, ku dhe sesi do të bisedosh me fëmijën mbi këtë subjekt. Ёshtë e rëndësishme të udhëzohen fëmijët se disa pjesë të trupit janë private e se askush nuk duhet t’i prekë, përveç mjekut në prezencën e prindit. Mund t’i thuash vajzës apo djalit:” Të keqen mami, babi, ç’pjesë të trupit mbulohen nga rrobat e banjës janë private dhe askush nuk duhet t’i prekë. Mos lejo njeri të të heqë rrobat, të fusë duart në rroba, apo nën fustan. Kur dikush të thotë zhvishu, mos prano. Nëse dikush të thotë, që ta zhveshësh, mos prano. Nëse dikush të prek a të puth në një mënyrë që të bën të ndjehesh keq, largohu menjëherë, hiqja dorën a duart dhe trego në shtëpi. I thuaj mamit e babit.” Ёshtë e rëndësishme, që fëmijët të ndjejnë, se ata mund të vijnë në shtëpi dhe të bisedojnë për sa u ka ndodhur, pa pasur frikë se do të dënohen apo ndëshkohen për çfarë mund t’u ndodhë. Abuzuesit i bëjnë fëmijët shpesh të ndihen fajtorë për ç’ka atyre u ndodh, ata i kërcënojnë fëmijët “se po tregove do të vras mamin dhe babin”. Pra, të dhënit mbështetje fëmijës i fuqizon dhe i jep mundësinë për t’u ndjerë të sigurt e të dinë se kanë prindërit për mbështetje. Këto janë disa këshilla që mund t’u jepen fëmijëve në edukimin e përditshem. Ёshtë një hap i parë në mbrojtjen e fëmijëve nga abuzuesit seksualë, duke i pajisur me njohuri për vetëmbrojtje e vetëpërgjegjësi. Jeta e Bekim Çengës dhe e fëmijëve të tjerë të abuzuar seksualisht është tejet e vlefshme për të qenë indiferentë. Njerëz të kategorisë së Shpëtim Zikos nuk janë të sëmurë mendorë; ata janë abuzues, të vetëdijshëm për veprimet e tyre dhe çdo gjë e kryejnë me paramendim.Të flasim, të bisedojmë e të udhëzojmë fëmijët, është gjëja më me vlerë që mund të bëjmë për ta. E, kështu si prindër e shoqëri t’i mbrojmë fëmijët tanë!

© Aida Dismondy 5 Nentor 2007