Wednesday, November 07, 2007

FALEMINDERIT MAESTRO!

Botuar tek Revista " Pelegrin"

Ca ditë më parë teksa po mbyllja postën elektronike në një nga lajmet e faqes më zuri syri emrin e të madhit Luciano Pavarotti. Nuk i kushtova shumë vëmendje dhe teksa mbylla faqen elektronike vazhdova si zakonisht me rutinen e ditës. Dy ditë më pas në një nga stacionet e muzikes klasike, në fund të arias „Nessun Dorma” te Puccinit, kënduar nga i madhi Pavarotti, dëgjoj: “Do të na marrë malli për ty Maestro, lamtumirë!” Nga mosbesimi fillova të shtyp butonat e radios, duke shpresuar më kot të dëgjoja të përsëritur midis morisë së tingujve të rrokut, reklamave, lajmeve të trafikut, lajmin e kobshem, që sapo më kishin zëne veshët. Iu ktheva përsëri stacionit të muzikës klasike dhe fillova të mbaj vesh, mos ndoshta do të dëgjoja ndonjë të re, porse përveç muzikës së rradhës asgjë tjetër s’u dëgjua. E po, mendova vdekja është pjese e jetës, e këtej oqeanit, njerëzit përqendrohen në pjesën aktive të saj.
Veçse lajmi i largimit te Maestros nga ne, më krijoi trishtim. Ndaj dhe po hedh të zezën në të bardhë, të ndaj disa mendime me të tjerë dashamirës dhe admirues të të madhit Pavarotti. Në këto rradhë nuk do të ndalem e të prezantoj apo shtjelloj në detaje artin e Pavarottit, kjo është një ndërrmarrje që u përket specialistëve të historisë së muzikës dhe muzikës klasike. Si admiruese dua të ndaj madhështinë e Pavarotit si artist që solli tek masat bukurinë e operas në përgjithësi dhe asaj italiane në veçanti, (ose siç e kane cilesuar specialistet, solli muziken operistike tek kultura popullore) perkrahjen që i dha talentit të ri dhe lidhjeve që krijoi mes zhanrave të muzikës.
Pavarotti u ngjit në skenën operistike në vitin 1961, kohë kur opera si zhanra po vuante për spektatorë*. Shpërndarja e debutimit të tij përmes Televizionit i solli famë, por njëkohësisht i mundësoi Maestros të shikojë nevojën për të lidhur muzikën operistike me masat. Duhet thënë, pavarësisht se shumëkujt mund t’i duket habi, në ato vite jo shumë kush e dinte se çdo të thotë opera*.
Publikut amerikan Pavarotti iu paraqit në vitin 1968 me vënien në skenë të “ La Bohéme” tek Metropolitan Opera në Nju Jork. Skena operistike kishte fituar tashmë një nga tenorët me zerin më të magjishëm. Përsa i përket zërit, vetë Pavarotti është shprehur: “ Mendoj se një cilësi e rëndësishme e zërit tim, qëndron në faktin se, nëse ndez radion e dëgjon dikë të këndojë, e njeh menjëherë zërin tim. Është një zë, që nuk mund ta ngatërrosh me tjetërkënd.”*
Për mëse katër dekada Pavarotti u bë emri më i dëgjuar dhe personi më i njohur i muzikës klasike. Duke ndjekur në hapat e Enriko Karuso dhe të një farë mase Maria Kallas, Pavarotti u shndërrua në një emër tepër popullor. Të qënit apo jo admirues i operas s’ka shumë rëndësi, kur dikush përmend emrin e Pavarottit. Emri e zëri i tij nuk u dëgjua veç në ambientet e skenave operistike, por me famën e një ylli të muzikës rrock, emri i tij mbushi stadiumet dhe u dha kënaqësi spektatorëve të ndryshëm nëpër botë. Për ne, shqiptarët, kënaqësia e dëgjimit u mundësua përmes valëve të radios dhe atyre televizive, pa përfshirë ndokënd që mund të ketë patur kënaqësinë e të qenit prezent në një nga paraqitjet e Maestros. Me miliona disqe të shitura, patjetër një rekord mjaft i admirueshëm për një tenor të operas. Duke përmendur fjalët e Ben Heppner, tenorit të famshëm kanadez, Pavarotti nuk mund të shkonte ndokund dhe të mos njihej, sikur ndodh shpesh sot për artistët e muzikës operistike.
Sa i përket njohjes, Pavarotti ndonëse i madh, i kushtoi një vëmendje të veçantë përkrahjes së talentit. Në muzikën operistike po ndalem veç në dy raste jo të largëta në kohë; mbështetjen e talenteve të reja të skenës operistike, shqiptarin Saimir Pirgu dhe anglezin Paul Potts. Dua te përmend këtu paksa (them paksa, pasi Pirgu meriton nje perkushtim me vete) tek tenori shqiptar elbasanas, njëzetegjashtëvjecarin Pirgu. Bashkëqytetari im Pirgu pati fatin e madh të studiojë së afërmi me Maestron. Në sesionet e studimit me Pavarottin, Pirgu perfeksionoi rolin e Ferrandos në “Cosi fan tutte” të Mozartit. Në një nga artikujt e gazetave italiane lexon për Pirgun: “Hapni derën, me dërgon Pavarotti.” Dhe “derën” Pavarotti ua a hapi çdo talenti jo vetëm të muzikës operistike por dhe të asaj rrock. S’mund të harrohen debutimet e tij të “Ave Marias” me të famshmin Bono, të grupit U2, apo debutimet e tij me Berry White të “You’re the first, the Last, my Everything” dhe me Mbretin e Soul, James Brown të “ This is a Man’s world.” Aftësia për të krijuar këto ura lidhëse midis zhanrave, përkrahja e talentit dhe vlerësimi i artit për hir të arti, rrit madhështinë e Pavarottit.
Më sipër përmenda interpretimin prej tij të “Nessun Dorma” në “Turandot” të Puccinit, por shumë kush mendoj se do të pohojë, interpretimi i Toskës në “ E lucevan le stelle” është i një kalibri të veçantë. Ndjenja dhe dhimbja e largimit nga jeta ndjehen në çdo notë të kënduar e nuance të zërit të Pavarottit. Dëgjuesi përjeton dhembjen e Toskës dhe dashurinë e tij për jetën. Përcjellja e këtyre ndjenjave tek publiku nuk mund të mësohet lehtë, por është një dhunti natyrore e gjeniut. Pa u përmendur këtu nuk mund të lihen interpretimet e tij të këngës popullore italiane. “Mama” dhe “O Sole Mio”janë të shumëdashura nga miliona admirues përtej kufijve të Italisë .
Çdokush që dëgjon interpretimet e Maestros s’mund të qëndrojë indiferent karshi muzikës së ofruar pa u shndërruar në një dashamirës të zhanras, e nëse jo, të paktën një admirues i të famshmit Luciano Pavarotti. Pavarotti kujdesej t’u jepte “njerezve nje vend ku ata të mund të ndjeheshin rehatshëm dhe të fillonin të jetonin sërish.*” Keshtu dhe madhështia e tij do të vazhdojë të jetojë sërish për vite e shekuj që vijnë. E mbase në dhomat e shtëpive apo teatrot dashamirësit e sapo fituar do të duartrokasin debutimin e një virtuozi, sikur sot im bir dhe vajza ime.

Faleminderit dhe Addio Maestro!

Aida Dismondy, Shtator 12, 2007 ©

* Kjo pjese eshte marre nga intervista te ndryshme te Maestros dhe nga disa gazeta.

No comments: