Saturday, May 24, 2008

Humbja e Individit në tregimin e Faruk Myrtaj „ Turma e Dimrit“

Gjatë verës se shkuar pata rastin të takoj disa studentë polakë e rusë dhe biseda na çoi në kohën e socializmit. Historitë tona ishin të ngjashme, s’kishte shumë rëndësi ku kishim jetuar apo nga kishim ardhur, me pak ndryshime aty apo këtu, tërësia e përjetesës sonë mbante një emër socializëm, triumfi i bashkësisë kolektive, i punës së perbashket, lufta e klasave, vobektësia dhe frika e përndjekjes. Socializmi na kishte dhënë të tërëve në bllokun e Lindjes,shprehur në mënyrë figurative, një fytyrë. Kjo më kujton disa piktura nga një artist kinez që m’u dha rasti të shikoj në një nga godinat e shtetit. Pikturat ishin të mbushura me portrete njerëzish, por të gjithë ishin identikë, të gjithë kishin të njëjtën uniformë, të njejtën buzëqeshje, të njejtën prerje flokësh. Si ka mundësi që tërë kjo mori njerëzish të ketë të njejtën fytyrë? Ç’ndodhi me individin? Ç’dukuri të ketë ndodhur që ka çuar në këtë tjetërsim dhe formim të fytyrës kolektive? Origjinën e kësaj dukurie duket se ka marrë përsipër të shpjegojë rrëfyesi i tregimit të fundit të Faruk Myrtaj „ Turma e Dimrit“. Faruk Myrtaj është një penë e afirmuar në letrat shqipe dhe në krijimtarinë e tij gjejmë të lëvruar si poezinë ashtu dhe prozën, por njëkohësisht dhe gazetarinë e kritikën. Në tregimin „Turma e Dimrit“ Myrtaj në një gërshetim midis të tashmës e së shkuarës, të karakterit kryesor Rojes së Pallatit, përqendrohet në dukurinë e Turmës dhe na ofron një meditim mbi karakterin dhe natyrën e saj si dhe raportin individ - Turmë. Meditimi për Turmën është jo vetëm preokupim i rrëfyesit por Ajo vetë përmes përshkrimit dhe vendit që i jep autori, është shndërruar në personazh të tregimit, përkrah rojes, rrëfyesit të tregimit, dhe Valmirit. Qysh në titull, tregimi kaplon vëmendjen e lexuesit. Ç’të jetë kjo Turmë dhe pse e Dimrit? Turmat i hasim në raste mitingjesh apo dyndjesh. Ka turma të gëzuara por ka dhe të acaruara gati për të vandalizuar. Në aspektin historik si lexues kemi qenë dëshmitarë por dhe pjesëmarrës në turma, ndërsa në tregim, autori na tërheq vëmendjen se Turma së cilës ai i referohet është ndryshe nga simotrat paraardhëse apo pasardhëse historike. Kjo turmë aludon për Revolucionin Bolshevik, përmbysjen e një sistemi regjimi dhe vendosjen e një tjetri ku –sikur thote karakteri i Valmirit - të pasurit nuk ekzistojnë më, pra jo tjetër veç vendosjen e regjimit socialist. Një ngjarje historike pret të lexojë lexuesi, porse si mjeshtër i penës, Myrtaj nuk na paraqet detaje të revolucionit, atij nuk i interesojne ato, tjetërkund e ka qellimin; ai hyn drejt e në psiqikën e tij duke paraqitur një analizë të Turmës, kësaj force vepruese, që merr gjithëçka përpara, me një fytyrë të patipartë, të përbërë sikur thotë rrefyesi nga njerëz të shfytyruar, individë që kanë humbur vetveten ndërsa i janë bashkuar Turmës, e me të qenë pjesë e saj dhe koshiencën apo ndërgjegjen dhe të vepruarit me logjikë.
Karakteri i Valmirit që është krekosur përpara se t’i bashkohet Turmës, e paraqet më së miri këtë humbje të identitetit dhe individualitetit. Valmiri po i bashkohet Turmës, duke u nisur nga një fjali që ka dëgjuar pa pasur me Turmën ndonjë përputhje principesh, pasi në të nuk vërejmë ndonjë bindje të theksuar politike apo ideologjike. Ai është tip i lëkundshëm, nga ata që i thonë „Po“ çdo argumenti apo bisede pa u ndalur të mendojnë për vete. Shpotinë e Zonjës ai nuk e kupton teksa ajo luan me idenë e kalimit te Pallatit si pronësi të Valmirit. “Më duhet t’ju lë zonje” thotë Valmiri “ të bashkohem me ata të tjerët”. Qysh në fillim Valmiri prezantohet me një detyrim që ai duhet të përmbushë e njëkohësisht distancohet nga “ata” të cilëve do t’u bashkohet. Ku “ata” janë, është Revolucioni, kështu thotë Valmiri, ose më saktë “Revolucion “,dhe kuptimi i tij për revolucionin është tepër i përciptë dhe jo i menduar, madje është e qartë se Valmiri do të jetë veç një ndjekës i mendimeve apo dëshirave të dikujt, në këtë rast Turmës. Për të qenë më konkretë, këto janë fjalët e Valmirit ”ata thonë se pasuritë do t’u jepen të varfërve”, përsëri përemri i vetës së tretë “ata” dhe përsëri distancimi dhe tërheqja drejt tyre. Është e e rëndësishme të përmendet, motivi i vetëm pse Valmiri po i bashkohet Turmës është thjesht material. Më tej, të tërheq vemendjen në përgjigjen e Valmirit të shprehurit “ata thonë” teksa Valmiri bëhet gati të hyjë mes Turmës ai vazhdon të qëndrojë i distancuar nga “ata”, çfarë mund t’i japë dhe mundësinë e tërheqjes mirëpo e kundërta ndodh qysh në pikënisje Valmiri është i fshikulluar nga mendimet e të tjerëve, qysh në fillim Valmiri ka dorëzuar identitetin e tij dhe kapacitetin për të menduar si individ dhe t’i nënshtrohet përpara se t’i bashkohet asaj, t’i nënshtrohet Turmës.
Autori forcën vepruese dhe ndjellëse të saj e shpjegon në analogjinë e “ujit të kataraktit” dhe fuqinë e tij gërryese. Uji teksa lëviz krijon shtrat kështu dhe turma krijon shtratin e saj. Porse në veprim të kundërt me ujin që duhet të mblidhet pa të krijojë shtratin, turma e ka krijuar shtratin e saj shumë më përpara se të mblidhet si e tillë, i ka hyrë dhe ngulitur në mendjen e individit, të tipit të Valmirit, ajo ka vendosur indoktrinimin përpara se të formohet. Në këtë mënyrë individi nuk e shikon më veten si „Njëshi“ si Uni por si pjesë të një komuniteti më të cilin ai ndan një mendim, në rastin konkret dëshirën për t’u pasuruar. Këta individë që i bashkohen turmës nuk kanë forcën në vetvete të kundërpërgjigjes ata sikur Valmiri,“binden lehtë“ nuk duhet shumë përpjekje për t’i tërhequr këta individë dhe për t’i paraqituar ata me joshjen e psikozës së Turmës. Psikoza e Turmës mëkon dëshirën e natyrshme të individit për të qenë pjesë e një komuniteti, të cilen Sigmund Frojd e lidh me principin e kënaqësisë, ndërsa rrëfyesi e krahason me „verbimin e kënaqësisë seksuale“. Veçse dëshira e lindur e njeriut për të qenë pjesë e komunitetit ndryshon nga të qenit pjesë e Turmës, pasi individi në komunitet supozohet të ketë mundesinë e ushtrimit të vullnetit të tij të lirë, kjo nga një pikëpamje iluministe, ndërsa Turma, mentaliteti i saj e mbyt „Njëshin“, ashtu sikur e shpjegon dhe autori „nuk gjendet ngè të mendohet si individ“. Njëshi, individi paralizohet nga Turma dhe gjithëçka e tij i dorëzohet forcës hipnotizuese të saj, të cilën autori e përngjason me „një xhevahir të rrallë“. Ky është pikërisht qëllimi i Turmës, joshja e individit, për ta pasur atë nën kontroll që më pas Turma të vendosë tërësisht sundimin e ideve të saj.
Jo vetëm Valmiri, që vullnetarisht i dorëzohet Turmës por dhe rrëfyesi, Roja e Pallatit ndodhet në dilemë përpara saj. Ai e ka të vështirë t’i rezistojë Turmës, pasi ajo është „e frikshme“, e të gëlltit në gojën e saj të mbushur me dhëmbe të gërryer, të kalbur.
Të perballurit me Turmën për Rojen i përngjan luftës, më saktë, duke iu referuar Darvinizmit, luftës për ekzistence. Të mbijetojë ai duhet të shkojë me Turmën përndryshe, sikur ai pohon do të behet „bezhdile“ apo „ashkë zjarri“. Roja në raportin që vendos me Turmën dallon kështu nga Valmiri, ai i bashkohet Turmës për mbijetesë. Frika e momentit bëhet shtytësja që roja t’i bashkohet turmës. Duke sjellë kështu ndërmend një përqasje historike ku mijëra e mijera që brohoritën nëpër turma e vazhdojnë t’u bashkohen atyre, bëjnë kështu për shkak të frikës që i kap për momentin, sikur rojen rrëfyes, frikës së mos përfundimit në „bezhdile“. A mund ta quajmë hipokrizi vendimin e rojes për t’iu bashkuar Turmës? Mbase, por dhe jo. Të qenit „ashkël zjarri“ nuk i shërben askujt, madje as atij vetë, të paktën në një formë ekzistence sado të kufizuar, roja bëhet kritik i asaj që përjeton dhe na e prezanton në komentet që ofron për Turmën. Njëkohësisht rrëfyesi është i kujdesshëm të mos identifikohet me Turmën, ai ndonëse vepron si Ajo, nuk vandalizon por përkundrazi rend më tepër për të mbrojtur objekte të dashura të tij, një libër, jo nje libër dosido,por librin e tij më të dashur, në dhunën e kujdesur ndaj librit ai e shpëton, shpëton atë grimcë dijeje dhe kënaqësie që rrëfyesi ka gjetur në faqet e atij libri, dhe nuk ia dorezon Turmës e ngre në ajër për ta vënë më pas pranë zemrës. Libri është thesari i tij, “xhevahiri” i tij i “rralle.” Roja rrëfyes, teksa është brenda turmës shikon nga aftër vërshimin shkatërrues të saj në gjithëçka që prek teksa lëviz e tëra si masë, në kulmin veprues të saj.
Turmën nuk e shikojmë veç në lëvizje, e shikojmë dhe të transformuar në të tashmen e rrëfyesit, ndërkohë që në dukje paraqitet e shpërndarë por edhe si një rrjedhë uji e paqme, pasojat e saj tek individi janë te pariparueshme, ai është i tulatur dhe ka dorëzuar Unin, për hir -duke iu referuar përsëri Frojdit- të objekteve të dëshiruara që i japin ose ai është i bindur se i japin kënaqësi. E thënë ndryshe, individi nuk ekziston më, është shndërruar në objekt që i përket Turmës. Kjo duket edhe në përdorimin e fjalëve e atyre, të cilët duan të bëjnë një paraqitje të ngjarjeve në një film, siç e dëshironin ata të kishte ndodhur. Filmi është një iluzion i realitetit dhe kurrësesi realiteti, realiteti eshte i montuar t’i pergjigjet vizionit artistik te kineastit. Kineasti ne kete raste është Turmë, forca e së cilës - në të tashmen e rrëfyesit - vepron për të ndërtuar imazhin e saj, për të vendosur në psiqikën e objekteve të saj një realitet imagjinar. Këta “artdashës“ duan të përfundojnë projektin por dhe ky është kolektiv askush nuk flet në vetën e parë, çfarë do të sinjalizonte individin ose rivendosjen e Unit, ata flasin në shumës përdorin përemrin vetor “Ne”. Në emër të barazisë refuzojnë të njohin veten si individë, me tipare e mendime të veçanta e kanë marrë fytyrën kolektive të Turmës. Turma ka triumfuar dhe ka në dorë jo veç „xhevahiret“ pra materien, pasurinë e dëshiruar por sikur shprehet Karl Marksi „është dhe forca intelektuale guvernuese“, me fjalë të tjera Turma dikton dhe intelektin e individit duke këmbëngulur që t’i nënshtrohen asaj. Madje ajo ka kaq tahma sa nuk pyet as për ata, Valmirët, që u verbuan nga premtimet joshëse të saj. Nga ana tjetër individit si mbetet tjetër veç të manovrojë brenda psikozës së Turmës, sikur roja rrefyes. Individi e ka të vështirë të shkojë kundër rrjedhës së saj me detyrim ai bëhet finok, tjetërsohet ose hesht. „Hapa portën dhe mbeta gjallë...“ thotë rrëfyesi. Pra, e vetmja gjë që i lejohet individit është liria e kufizuar, mbijetesa e përditshme, sikur u përmend më sipër. Pa qenë pjesë e Turmës, individi bëhet molekulë apo atom i saj, qoftë dhe fjetës, pasi të jemi të vetëdijshëm se Turma për të cilën kemi lexuar nuk është dosido. Ajo është Turmë Dimri, e nëse i referohemi sërish analogjisë së ujit të kataraktit, kjo masë uji në dimër ka shumë mundësi të ngrijë dhe të shndërrohet në akull. Me fjalë të tjera, jo vetëm që shkatërron si masë uji në lëvizje gjithë sa i del përpara por dhe ngrin. Me raste ngrin veç në sipërfaqe e me të ardhur pranvera fillon e shkrin, por të mos harrojmë se Dimri i sjellë nga Turma në fjalë ishte i tejgjatë, gjysmë shekullor, u shndërrua në akullnajë e ngriu dhe mbyti miliona individë. Psikoza e saj ka lënë gjurmë në sistemin nervor të individit që herë përpëlitet e herë gjallërohet në realitetin e ri të passhkrirjes. Por autorit s’i intereson passhkrirja, Myrtaj na lë në mendime, në të tashmen e rojes dhe pas Revolucionin, akoma në Dimër. Çdo të bëhet me rojen? Përgjigjen e ofron kujtesa kolektive dhe individuale e të gjithëve ne që përjetuam Dimrin.

© Dismondy Michigan 24-5-2008

No comments: