Tuesday, January 29, 2008

VETЁM RRAPI I MOÇЁM I BEZISTANIT KA MBETUR PA QETHUR!

Klima, qyteti i Elbasanit dhe përgjegjësia qytetare:
Në një kohë që e gjithë bota po trajton me të madhe problemin e Ngrohjes Globale, dhe po bëhet një 'autokritikë' e njeriut si dëmprurës në këtë problem në Shqipëri, pikërisht në Elbasanin tim të lindjes, sërish dora e njeriut vë sëpatën mbi pishat, mushkëritë e pakta që që pastronin 'kancerin' e tymit. Sot pata mundësinë të lexoj një shkrim të Dilaver Baxhakut mbi prerjen e pishave në qytetin tim të lindjes Elbasan. Njëkohësisht ndoqa dhe filmin dokumentar të Fatmir Terziut "Clouds of Smoke" (Retë e Tymit) një prodhim i Terziu Media Productions & Film në bashkëpunim me Departamentin Britanik të Mjedisit, Ushqimit dhe Aferave Bujqësore dhe gazetarin e BBC-së Mike Sergant. Të dy zotërinjtë janë nga ky qytet dhe ndonëse trajtojnë subjekte të ndryshme, kanë një shqetësim të perbashkët shkatërrimin e sistemit ekologjik në qytetin e Elbasanit. Duke u nisur nga informacioni i dhënë prej Baxhakut dhe Terziut është e qartë se gjendja e mjerueshme e mjedisit në Elbasan është nga njëra anë rezultat i neglizhencës lokale dhe asaj burokrate. Kjo neglizhencë pasqyrohet në filmin dokumentar të Terziut, ku padyshim absurdja përqëndrohet rreth lëshimit të gazrave ndotës dhe vrasës nga fabrika të cilat duhen të mbyllen ose janë në nevojë renovimi të domosdoshëm për të reduktuar lëshimin e gazrave të dëmshëm në atmosferë e sidomos në ndotjen e ajrit për qytetarët e Elbasanit dhe spostimit të plehrave të qytetit në një fushë masive në periferi e djegien e tyre pa kriter. Lëshimi i gazrave nga djegia e këtyre të fundit s'bën gjë tjetër porse u shtohet atyre të lëshuara nga fabrikat e stërvjetëruara.Nga ana tjetër është arbitrarizmi burokrat dhe vendimet e pamenduara me rezultate katastrofike për pamjen dhe ekologjinë e qytetit, sikur rezulton nga artikulli i Baxhakut.
Për qytetarët e Elbasanit ndotja e mjedisit s'është një fenomen i ri, çdo kush e kujton tymin e kuq që binte mbi rrobat që thaheshin në ballkone, e që vinte nga oxhakët e Metalurgjisë gjatë viteve të socializmit. Edhe gjatë asaj kohe qytetarët e Elbasanit ankoheshin dhe e mallkonin katraurën e hekurt, ndërtuar në fushë pjellore. Por le të mos kalojmë në reminishencë e të fokusohemi në të tashmen. Ç'mund të behet në këtë drejtim? Si mund të kontribuojnë qytetarët për të mirëmbajtur qytetin e tyre dhe si të mund të gjejnë një zgjidhje zyrtarët e zgjedhur në Bashkinë e qytetit? I shtroj këto pyetje-shqetësime, sepse më duket se situata nuk është e pashpresë, megjithëse edhe mund të duket e tillë në aparencë. Ndonëse nuk kam dyshim në afrimin e zgjedhjeve të mundshme nga ekspertët e mbjedisit dhe atyre nëpër zyrat e Bashkisë, dëshiroj të paraqes disa zgjidhje të mundshme për qytetin e Elbasanit në një perpjekje për të kontribuar në përmirësimin e ambientit dhe gjelbërimin e qytetit.
Së pari, plehrat në periferi të qytetit: Duke menduar se zyrtarët e Bashkisë janë të decentralizuar ata mund të shikojnë mundësinë e bashkëpunimit me kompani të huaja të trajtimit të plehrave, të cilat kanë eksperiencë jo vetëm në grumbullimin dhe trasportimin e plehrave por dhe në ndërtimin e landfills dhe shndërrimin e gazit të prodhuar nga procesimi në energji për kosumatorët ose qytetarët e Elbasanit, pa ndotur ambientin. Kjo natyrisht kërkon studimin dhe koston e projektit, porse ndodh shpesh që kompanitë e interesuara të mbulojnë koston e shpenzimeve. Sa kohë që marrëveshjet nuk u përngjajnë atyre të tipit italian, sjelljes së plehrave dhe procesimin e tyre në Shqipëri, projekte dhe marrëveshje këto që myken diku nëpër sirtaret e tavolinave që kanë ndërruar gustot e kryetarëve të Bashkisë. Izraelitët p.sh. kanë zhvilluar një sistem mjaft të mirë për procesimin e plehrave dhe të përpunimit të ujrave të zeza (përmend Izraelitët pasi sistemi i tyre i trajtimit të mbeturinave është tepër i avancuar dhe i vlerësuar). Një mundësi bashkëpunimi mund të shikohet në këtë drejtim. Organizatat qeveritare dhe jo qeveritare për mbrojtjen e ambientit në Shqipëri mund të përdoren për të ndermjetësuar këto bashkëpunime.
Një vëmendje e veçantë, nga ana tjetër, i duhet kushtuar ndërgjegjësimit të çdo qytetari për kujdesin ndaj ambientit ku banon. Ёshtë e rëndësishme që të jetë një mirëkuptim se jo vetëm shtëpia ku banon ka rëndësi të mbahet e pastër por dhe vendi jashtë saj, aty ku lozin fëmijët. Një shoku im më tregonte sesi një miku i tij gjerman ishte çuditur kur shikonte shtëpitë kaq të pastra në Elbasan dhe mbeturinat që fluturonin nga dritarja. Një paradoks i vërtetë. Ndërkohë që janë vënë kosha plehrash, e mira do të ishte të vendoseshin dhe kosha për riciklimin e objekteve të ndryshme p.sh. në Gjermani koshat janë të ndarë, një për plehra, një për objekte riciklimi plastike dhe letra e një tjetër për objekte qelqi, kjo për ambientet publike, kurse qytetarët nga nga tjetër i ndajnë plehrat dhe objektet ricikluese në shtëpi dhe i vendosin në qeset përkatëse. Ndërsa në Amerikë çdo shtëpi merr nga komuna kundrejt një pagese prej 10 dollarësh një kosh që është veç për objektet e riciklimit. Në të dy shtetet ekziston dhe gjoba për hedhjen e plehrave pa kriter, në Amerikë është rreth 500 dollarë. Pra, në këtë mënyrë çdo qytetar jep kontributin e tij dhe është i ndërgjegjshëm për rolin që luan në mirëmbajtjen e mjedisit, pa pritur që gjithëçka të vijë me urdhër nga lart. Të kuptohemi drejt nuk e kam fjalën për adoptimin e praktikave të huaja, se natyrisht 500 dollarë është një shumë e konsiderueshme për xhepin e një qytetari amerikan le më pastaj të një qytetari shqiptar, por ideja është në rritjen e kontributit qytetar për mirëmbajtjen e qytetit.
Së fundi rigjelbërimi i qytetit. Gjuha shkon ku dhemb dhëmbi. Mbas katastrophës së qendrës së qytetit prerjes së pishave dhe krijimit të një pamjeje që të vret sytë, punësimi i një specialisti të pyllezimit dhe kopshtarisë (landscape designer) do të ndihmonte në këtë drejtim, që të mund të paraqes një projekt plan për riparimin e sheshit kryesor të qytetit. Ndonëse besoj se zyrtarët e Bashkisë e kanë tashmë projekt planin përndryshe nuk do të kishin filluar një projekt kaq ambicioz sa zhveshja e qytetit nga gjelbërimi. E nëse jo, është kjo një shenjë e mungesës së profesionalizmit dhe ekspertizës nga ana e projekt menaxherit. Çdo projekt fillon me koston, kohën dhe objektivat që duhen plotësuar për ta përfunduar, të tëra këto i lidh kualiteti. Fakti që fondet s’mjaftojnë për të përfunduar projektin e nisur tregon se me sa duket plani është bërë veç për fazën e parë të projektit (atë të prerjes së pishave dhe shkatërrimit të trotuareve) duke harruar fazat e tjera të tij. Pra, nëse fjalët që qarkullojnë se projekti u la për mungesë fondesh janë të vërteta, është ky një tregues i punës së dobët jo vetem të projekt menaxherit por të të tërë grupit bashkiak që miratoi projektin.
Meqë fondet mungojnë atëherë si të mund të sigurohen përndryshe qendra e qytetit do të mbetet sikur është tani, në një gjendje të mjerueshme për vite që vijnë. Duke qenë se bashkia nuk ka fonde ma do mendja që fisnikëria dhe bujaria e biznesmenëve të qytetit do të mundësojë fondet për këte projekt. Organizimi i një evenimenti me pikësynim sigurimin e fondeve (fundraising) do të ndihmonte në mbledhjen e tyre. Në këtë rast krijimi i një bordi qytetar është i domosdoshëm për monitorimin e fondeve dhe përpara tij projekt menaxheri duhet të raportojë lidhur me mbarevajtjen e projektit dhe përdorimin e fondeve.
Përpos anës financiare qytetarët mund të japin pak nga koha e tyre për të rregulluar ambientet e qytetit. Jo shumë larg qytetit ku banoj në anë të autostradës është një pllajë e mbjellë me lule dhe e zbukuruar. Sapo afrohesh lexon një pllakatë të vockël " Kjo parcelë mirëmbahet nga nxënësit e shkollës së mesme". Në shkollën e tim biri nxirret një njoftim herë pas here për të mbjellë lulet në kopshtin e shkollës apo disa zarzavate, ku prindër dhe fëmijë mblidhen së bashku për të zbukuruar ambientin rreth shkollës. Gjithashtu çdo qytet ka klube kopshtarësh ku bëjnë pjesë qytetarë të cilët vullnetarisht kontribuojnë kohën e tyre për zbukurimin e qyteteve ku banojnë. Ky është një gjest në të mirë të komunitetit për ta bërë atë të këndshëm e tërheqës jo veç për banorët por për këdo që vjen. Ёshtë një ndjenjë krenarie që banorët kanë për qytetet apo komunitetet ku jetojnë dhe bëjnë ç’ka është e mundur për t’i mirëmbajtur. Dikur ne kemi bërë aksione për mbjelljen e pemëve. E di dikush do të qeshë e do të mendojë : " Po pse në kohë të Enverit jemi ne?!!" Jo, nuk jemi në kohë të tilla dhe as i dëshiroj të përsëriten, por, angazhimi i qytetarëve dhe i nxënësve të shkollave krijon mundësinë e pjesëmarrjes, e dhënies së kontributit sado i vogël apo i madh që rezulton në ambiente të mirëmbajtura pune dhe jetese. Askush nuk i vë shkelmin një diçkaje për të cilën është djersitur së punuari.
Mbase, mbase një iniciative nga shkollat e mesme të qytetit do të angazhonte studentët (nxënësit) për të mbjellë e u kujdesur për disa pemë që i nevojiten qytetit të Elbasanit. Elbasan i bukur Elbasan, thotë Baxhaku në artikullin e tij duke e perfunduar këtë frazë me një pikëpyetje, ndërsa Terziu jep një pamje të ish-pishave të moçme të ngarkuara me dëborë që shkrin si rezultat i tymit dhe këshillon për përgjegjësinë që ka çdo qytetar në mbrojtjen e mjedisit. Koha e komunizmit ka ikur së bashku me kohën e heshtjes së qytetarit nga frika e persekutimit, është koha e kontributit dhe e përgjegjësisë qytetare. Veç në këtë mënyrë do të ndalohet arbitrarizmi burokrat i zyrtarëve dhe do të mund t'u trashëgojmë gjeneratave pasuese bukuritë e qytetit në të cilin ne u rritëm. Pishat ikën e janë tani pjesë e historisë së shkuar, le të mos lejojmë që indiferenca jonë qytetare të na bëj sehirxhinj nëse nesër i vjen rradha dhe Rrapit të moçëm të Bezistanit apo shndërrimit të qytetit në një kosh ku hidhen mbeturinat kimike dhe plehrat. Kaq pak ja detyrojmë vetes dhe fëmijëve tanë.

© Aida Dismondy 23 Janar 2007

No comments: